Ishte vet Ministri i Financave, Bedri Hamza, ai që i pari kundërshtoi miratimin e këtij projektligji në formën aktuale, pasi që sipas tij, ky ligj mund të ketë kosto shtesë buxhetore mbi qindra miliona euro, shkruan lajmi.net.
“Ky ligj në tërësinë e tij mund të ketë kosto shtesë buxhetore qindra milona euro për buxhetin e Kosovës, dhe nuk po kufizohem vetëm në tri vjet. Ky ligj është jo në përputhje të plotë me nenin 26 të ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Është në kundërshtim me nenin 18.5 të Ligjit për buxhetin për vitin 2018 ku thuhet se ‘asnjë ligj apo projektligj nuk mund të procedohet në Qeveri apo në Kuvend për miratim nëse nuk zgjidhet çështja e implikimit finaciar të vitit 2018”, kishte deklaruar Ministri Hamza gjatë mbledhjes së qeverisë, për të dhënë më pas edhe votën kundër këtij projektligji.
Reagime të reja erdhën edhe pas miratimit të këtij projektligji në qeverinë e Kosovës.
“Ne do të këshillonim fuqimisht që të mos ecim përpara me këtë projektligj në formën e tij aktuale”, deklaroi Ruud Veremulen, përfaqësues rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, duke japur vërejtjet e tij që projektligji në fjalë mund të paraqesë implikime buxhetore për Kosovën.
E menjëherë pas këtyre vërejtjeve, ishte kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ai që për lajmi.net, konfirmoi se kanë kërkuar një takim me përfaqësuesin rezident të FMN-së në Kosovë, për t’i paraqitur atij faktet që ata pretendojnë se vërtetojnë se ky ligj nuk është ngarkesë aq sa thuhet për buxhetin e Kosovës.
“Bije fjala për vitin e ardhshëm nuk e kalon shumën prej gjashtë milionë, dhe kjo shumë nuk dyfishohet siç është munduar ta thotë Ministri Hamza apo dikush tjetër, por shkon duke u rritur në një shkallë të vogël, e nga ana tjetër, edhe përfituesit e këtij ligji nuk shkojnë duke u shtuar shumë ngase ata në kohën kur kanë punuar në vitet e 90-ta e kanë pasur një moshë të caktuar dhe një pjesë e tyre edhe tanimë nuk janë mes të gjallëve”, deklaroi dje për lajmi.net, Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut.
E gjatë ditës së sotme, në një përgjigje për lajmi.net, nga qeveria e Kosovës është bërë e ditur që ligji në fjalë ka një kosto prej 16 milionë e 757 mijë euro për tre vjet, dhe sipas qeverisë së Kosovës, kjo kosto nuk duhet injoruar, por kundrejt një kategorie specifike siç janë punëtorët e arsimit shqip të viteve të 90-ta, të cilët meritojnë një trajtim adekuat, duhet të përballohet nga buxheti.
“Sipas vlerësimit të Ministrisë së Financave, departamentit të buxhetit, ligji në fjalë ka kosto buxhetore për tri vjet së bashku 16.757.000 euro (periudha 2018-2020). Kjo kosto nuk është për injorim, por kundrejt një kategorie specifike, siç janë punëtorët e arsimit shqip në vitet ‘90-ta, meritojnë një trajtim adekuat dhe duhet të përballohet nga buxheti”, thuhet në përgjigjen e qeverisë së Kosovës për Lajmi.net.
Nga ana tjetër, SBASHK-u, ka paralajmëruar se do të kundërshtoj çfarëdo lloj forme të ndryshimit të këtij projektligji, duke dhënë vërejtjet se nëse tentohet diçka ndryshe, do të veprohet përmes mekanizmave sindikal.