Duke bërë vlerësimin për Raportin e BE-së për Kosovën, Hoti theksoj se koalicioni qeverisës nuk ka arritur të adresojë çështjet me rëndësi të lidhura me progresin e Kosovës drejt BE –së dhe as të krijoj konsensus politik për çështjet me rëndësi nacional.
Tutje Hoti tha se, “ Përpjekja për shfuqizimin e Ligjit për dhomat e specializuara ka ngritur shqetësime serioze në Bruksel për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për të përmbushur obligimet ndërkombëtare. Kosova nuk po bën progres në zbatimin e MSA –së “.
Pas theksimit të shumë vërejtjeve të tjera lidhur me këtë raport, Hoti ngriti çështjen e nevojës së një konsensusi nacional në mënyrë që të adresohen sfidat e ngritura në raport.
Duke komentuar Platformën e re për dialog me Serbinë të miratuar dje në Qeveri, Hoti vuri në vëmendje varfërinë e përmbajtjes së këtij dokumenti i cili për më tepër nuk definon as temat për diskutim, as parimet dhe as afatet kohore. Ai gjithashtu shprehu edhe pakënaqësinë lidhur me rolin që i jep kjo platformë Presidentit në procesin e dialogut duke theksuar se ky rol i atribuohet atij në mungesë të fuqisë së koalicionit qeverisës për të udhëhequr proceset madhore të vendit.
“ LDK-ja do të analizojë në ditët në vijim këtë platformë dhe në konsultim me strukturat e veta dhe Grupin parlamentar do të marrë vendim”, tha Hoti.
Së fundi Hoti njoftoi për Tryezën e partive politike e cila pritet të mbahet të mërkurën e javës së ardhshme.
“ Kjo tryezë ku do të përfshihen të gjitha partitë politike në vende është e domosdoshme duke pas parasysh krizën institucionale dhe politike që po kalon vendi, humbjen e shumicës parlamentare, mosfunksionimin normal të Kuvendit si dhe dështimin e funksionimit ligjor dhe kushtetues të institucioneve siç ishte rasti me dëbimin e gjashtë shtetasve turq”, theksoi Hoti.
Ai gjithashtu bëri të ditur edhe dy nga çështjet themelore në të cilat do të koncentrohet kjo tryezë dhe ato janë :
Mënyra se si të adresohen çështjet madhore për vendin, siç janë dialogu me Serbinë, reformat për integrim në BE, në të cilat çështje nuk duhet të ketë rivalitet politik, tash dhe në të ardhmen, gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë qeverisjes së ardhshme. Dhe përgatitjet e nevojshme teknike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe demokratike për të nxjerrë një qeveri stabile dhe të përgjegjshme.