Në një postim në facebook, presidenti ka shkruar se finalizimi i dialogut është mundësi e mirë që Kosova të afrohet me BE-në.
“Sot e pranova nga kryeministri Haradinaj platformën shtetërore të Republikës së Kosovës për finalizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Finalizimi i dialogut është një mundësi e mirë për Kosovën që të afrohet me Bashkimin Evropian dhe të forcojë edhe më shumë subjektivitetin ndërkombëtar”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka thënë se faza finale duhet të përmbyllet me normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo fazë e dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, e cila i mundëson Kosovës anëtarësimin në OKB, por edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe duke ecur përpara pa u penguar si shtete fqinje drejt integrimeve euroatlantike. Ekipi ynë në këtë fazë përfundimtare të dialogut do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ketë bashkëpunim e koordinim të plotë të të gjitha institucioneve të vendit. Ne jemi të përkushtuar që të kontribuojmë në stabilitetin rajonal dhe në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet fqinje”, ka shkruar Thaçi.