Ministri i brendshëm i Serbisë Nebojsa Stefanoviq tha të premten se nuk do të lejohet asnjë tubim në Hrtkovci më 6 maj në përvjetorin e fjalimit anti-kroat që mbajti Shesheli në të njëjtin fshat në vitin 1992 që çoi në dënimin e tij nga Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë.
“Disa organizata politike kanë lajmëruar tubime. Nuk do të lejohet asnjë lloj tubimi në Hrtkovci,” tha Stefanoviqi, raportoi agjencia e lajmeve BETA.
Partitë opozitare thanë se do të mbanin kundër-demonstrata pasi Partia ultra-nacionaliste Radikale e Sheshelit lajmëroi tubimin në Hrtkovci.
Por Shesheli tha se ai do ta sfidojë ndalimin dhe do ta organizojë gjithsesi tubimin.
“Ne do ta organizojmë dhe qeveria s’ka asnjë arsye për ta ndaluar atë,” tha për BIRN Shesheli, i cili është një deputet në parlamentin serb.
I pyetur për incidente të mundshme të shkaktuara nga sfida që ai po i bën ndalimit të mbajtjes së tubimit, Shesheli u përgjigj: “Pse të më interesojë?”
“Ne ishim të parët që planifikuam një tubim në Hrtkovci. Autoritetet mund të ndalojnë tubimet e tjera”, shtoi ai.
Incidentet që përfshijnë radikalët janë rritur gjatë ditëve të fundit pasi OJQ dhe politikanë të opozitës filluan të theksonin se dënimi për krime lufte i Sheshelit e skualifikon atë ligjërisht nga posti i tij si deputet.
Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare më 11 prill e dënoi Sheshelin në mungesë me dhjetë vjet burg për nxitje të krimeve me fjalimet nacionaliste në rajonin e Vojvodinës të Serbisë gjatë luftës në vitin 1992.
Fjalimet e tij që bënin thirrje për dëbimin e kroatëve nga Hrtkovci u pasuan me dhunë kundër civilëve kroatë./BIRN-Beograd