Punimet e lëna në gjysmë në magjistralen Podujevë- Prishtinë, pritet të fillojnë javën e ardhshme, njofton Llapi.info
Kështu ka thënë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në njërin nga televizionet e vendit. Ai në një prononcim ka thënë se punimet në këtë rrugë pritet të rifillojnë dhe punimet të vazhdojnë aty ku kanë mbetur në gjysmë.
Punimet për zgjerimin e kësaj magjistraleje të cilat kanë filluar të bëhen në shtator të vitit 2016, u ndërprenë në fillim të vitit 2018. Si pasojë e punimeve të ngadalshme, në këtë magjistrale që nga ajo kohë e deri më tani kanë përfunduar pjesërisht vetëm 6 kilometra, apo një segment rrugorë i kësaj magjistraleje.
Ky segment, që përfshinë rrugën që nga hyrja e qytetit të Podujevës deri në fshatin Gllamnik ka mbetur i përgjysmuar, madje tri ura të cilat gjenden në këtë segment kanë mbetur të pa prekura.
E për fillimin e punimeve një konfirmim për televizionin publik të Kosovës e ka dhënë edhe shefi i kabinetit të ministrisë së Infrastrukturës, Argjend Zejnaj.
“Janë kryer të gjitha procedurat dhe janë përzgjedhur kompanitë dhe ato do të fillojnë të punojnë, tashmë ka mbetur vetëm, çështje kur me u organizu dita kur do të bëhet elaborimi i fillimit të punimeve. Edhe ajo besoj që në mos këtë javë , në javën e ardhshme do të ndodhë” tha ai.
Zgjerimi i rrugës pritet që të vazhdojë nga fshati Gllamnik deri në atë Lluzhan./Llapi.info