Albert Krasniqi i KDI-së, njohës i proceseve zgjedhore dhe monitorues i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shkelur Kushtetutën me vonesën në emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Krasniqi ka thënë se presidenti, në mesin kompetencave të përcaktuara me Kushtetutë, ka edhe: Garantimin e funksionimit kushtetuese të institucionave të përcaktaura me Kushtetutë; dhe Emërimin e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“KQZ është institucion i pavarur kushtetuese. Kryetares dhe të gjithë anëtarëve të tjerë, tashmë iu ka përfunduar mandati. Presidenti ende nuk ka emëruar anëtarët e rinj. Duke qenë se asnjëri prej anëtarëve të KQZ-së nuk ka mandat, ky institucion nuk është funksional”, ka thënë Krasniqi, përcjell Koha.net.
“Kësisoj, duke mos ushtruar kompetencat e tij (të emërimit të Kryetarit të KQZ-së), Presidenti ka shkelur Kushtetutën pasi ka penguar funksionimin kushtetues të KQZ-së. Në këtë rast, do të duhej që të paktën tridhjetë deputetë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shkelje serioze të Kushtetutës nga ana e Presidentit”, ka thënë Krasniqi më tej.
Të enjten, Kohavisioni raportoi se si presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon ta mbajë peng emërimin e kryetarit dhe anëtarëve tjerë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ-ja, për herë të parë që nga themelimi i saj, ka mbetur pa mandat.
Bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhje, presidenti menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve qendrore të 11 qershorit, ishte i obliguar që brenda 60 ditëve t’i emëronte anëtarët e rinj.
Edhe aty Albert Krasniqit nga KDI-ja, kishte deklaruar se presidenti me këtë veprim po bën shkelje ligjore dhe kushtetuese. Derisa thotë se funksionalizimi i këtij Komisioni nuk po i konvenon presidentit.
Krejt kjo për shkak të dominimit të opozitës, pasi që nga dy anëtarë i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa po aq anëtarë ka edhe PAN-i.
Ndërkaq, partitë opozitare hedhin kritika në adresë të presidentit, duke thënë se nuk po vepron në përputhje me dispozitat ligjore.
Ish-anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, thoshte se presidenti duhet të veprojë urgjentisht, në të kundërtën do të marrin vendim që këtë çështje ta dërgojnë në instancat përkatëse. Tashmë kjo parti ka dërguar dy emra te presidenti, atë të Hydajet Hysenit dhe Adnan Rrustemit.
Ndërkaq, KTV-ja ka kontaktuar edhe Florian Dushin, emri i të cilët është dërguar për emërim në Presidencë nga LDK-ja. Ai ka thënë se për herë të parë presidenti e ka krijuar një situatë të tillë.
Kohavisioni i kishte dërguar pyetje Zyrës së Presidentit Hashim Thaçi, për të marrë sqarime lidhur me këtë ngecje, por zyrtarë të Presidencës nuk kanë kthyer përgjigje.
Pas përfundimit të zgjedhjeve qendrore një vit më parë, presidenti ishte arsyetuar se për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale nuk mund t’i emërojë anëtarët dhe kryetarin e ri të KQZ-së.