Shtetet e Bashkuara kanë veçuar Kinën, Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut si abuzuese me të drejtat e njeriut, ndërsa qeveritë e këtyre vendeve i ka cilësuar si forca destabilizuese, në raportin e saj të përvitshëm për të drejtat e njeriut.
Duke komentuar raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2017, Sekretari i Shtetit në detyrë, John Sullivan kritikoi gjithashtu qeveritë në Siri, Turqi, Mianmar dhe Venezuelë, për abuzime me të drejtat e njeriut.
Raporti i DASH konsiderohet si përmbledhja më gjithëpërfshirëse e situatës së të drejtave të njeriut, duke mbuluar 200 shtete dhe territore në botë.
“Shtetet që kufizojnë lirinë e shprehjes dhe tubimeve paqësore, që lejojnë aktet e dhunës kundër pjesëtarëve të grupeve fetare, etnike dhe minoritare, apo që cenojnë dinjitetin e personave janë moralisht përgjegjëse dhe dëmtojnë interesat tona”, tha John Sullivan, Sekretar Shteti në detyrë.
Por, në anën tjetër, kritikë të Shteteve të Bashkuara kanë akuzuar administratën “Trump” se po lë në hije promovimin e të drejtave të njeriut, si një nga objektivat kryesorë të politikës së jashtme, e kujtojnë komentet e vet presidentit mbi refugjatët, emigrantët dhe mediet, që sipas tyre janë shqetësuese.