Është inauguruar fillimi i punimeve të rrugës Deçan-Plavë, rrugë kjo që e lidhë rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë.
Me këtë rast, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke iu drejtuar të pranishmëve me një fjalë rasti tha se kjo është ditë e veçantë për të pasi është dhënë rasti që të nis një rrugë që lidhë Deçanin dhe Kosovën me Malin e Zi, sidomos me atë pjesë ku banojnë shqiptarë.
” Nuk ka ndjenjë më të mirë se kur jemi në shërbim të qytetarëve, të lëvizjes së lirë, të investimeve dhe zhvillimit të turizmit, sepse kjo rrugë ka ndikim pozitiv shumëdimensional. E them këtë sepse këto bjeshkë janë atraktive për zhvillimin e turizmit e sidomos edhe për transport të mallrave si lidhje me Malin e Zi. Nuk ka më mirë se kur përgatisim infrastrukturën për të zhvilluar vendin dhe me këto ndjenja jemi sot këtu që t’ia nisim kësaj rruge duke mos e atakuar askënd por unë jam i vendosur që ky projekt të zhvillohet deri në fund, andaj faleminderit Deçan, e gëzofshi këtë rrugë dhe na priftë e mbara!“.
Ndërsa, duke folur për buxhetin e ndarë për këtë projekt ai theksoi “Për këtë vit janë ndarë katër milionë euro, kurse për vitin 2019 do të ndahen edhe 8 milionë euro të tjera, kurse projekti në tërësi do të përfundojë në vitin 2020”, tha në fund të fjalës së tij ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.