Sot është mbajtur tryeza e partive politike e organizuar nga LDK-ja ku morën pjesë të gjitha partitë politike parlamentare dhe joparlamentare.
“Roli i LDK-së, si partia më e madhe në vend, në këtë nismë, është koordinues, me qëllim hapjen e mundësisë që subjektet politike të debatojnë e të propozojnë zgjidhje për situatën politike në vend:, ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, përcjell Klan Kosova.
“Tryeza tjetër presim të thirret nga partitë e tjera sipas fuqisë politike që ka secila”.
Vlerësimi i LDK-së është se qeverisja shtatëmujore ka qenë e vështirë dhe në disa raste shumë të rëndësishme janë nxjerrë vendime arbitrare dhe problematike.
“Temat e mëdha ka qenë e vështirë të adresohen duke qenë se koalicioni ka qenë tepër i brishtë, me vetëm 61 vota. Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi u ratifikua me mbështetjen vendimtare të LDK-së”.
“Vendin e presin temat të mëdha: vazhdimi i dialogut me Serbinë, formimi i Asociacionit, formimi i ushtrisë, reformat e agjendës evropiane, reforma zgjedhore etj. Ne mendojmë se këto tema duhet të diskutohen në këtë format dhe së bashku”.
“Kriza institucionale në muajin e fundit ka pamundësuar adresimit të çështjeve madhore. Tash koalicioni ka humbur shumicën parlamentare, me daljen e Listës Serbe nga koalicioni. Mungesa e shumicës në Kuvend e pamundëson qeverisjen normale demokratike. Prandaj, forcat politike duhet të gjejnë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. Ky cikël debatesh, që po nis me këtë tryezë, duhet të shterojë debatin për të dalë nga kjo situate”.