Duke qenë dëshmitarë të një prilli të nxehtë këtë vit, meteorologu Mendim Rugova ka thënë se, përveç lajmeve se në Austri, nga Instituti Qendror meteorologjik dhe gjeodinamik (ZAMG) është vërtetuar që muaji prill i vitit 2018 ishte më i nxehti që nga viti 1800, e njëjta po ndodh edhe në Kosovë.

Rugova, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sipas analizave preliminare rezulton që edhe në Prishtinë ky prill është më i nxehti që nga pas Lufta e Dytë Botërore, shënime të cilat ekzistojnë për Prishtinën.

“Temperatura mesatare mujore e prillit deri më tani (28.04) është 14.6C ose 4.7C më e lartë se mesatarja mujore për periudhën 1961-1990 që është 9.9C. Muaji prill i vitit 2016 deri më tash ishte më i nxehti me mesatare mujore prej 13.8C dhe temperaturë maksimale që arriti deri në 29C”, ka shkruar Rugova.

Ai thotë se po sipas këtyre shënimeve, prilli i vitit 1997 ka qenë më i ftohti, me mesatare mujore prej vetëm 4.6C, ku karakteristikë e këtij viti ishte një valë e të ftohtit që zgjati për pothuajse 20 ditët e para të muajit, dhe temperatura minimale zbriti deri në -6.5C.

Rugova ka bashkëngjitur një diagram ku ka paraqitur temperaturat mesatare mujore (gjelbër), minimale mesatare (kaltër), maksimalet mesatare (kuqe) për shënimet nga viti 1949.

Me vija të ndërprera janë mesataret për periudhën 1961-1990, ndërsa me vijëzim më të hollë janë trendet pesë vjeçare të temperaturave.

“Për këtë analizë jam shërbyer me shënimet nga vjetarët meteorologjikë të ish-Jugosllavisë deri më 1998, ndërsa nga viti 2000 janë shënime të përpunuara nga raportet meteorologjike nga Shërbimi meteorologjik i Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës”, ka thënë Mendim Rugova.

Edhe në Prishtinë prilli i këtij viti më i nxehti që nga lufta e dytë botërore29.04.2018 – Ditëve të fundit ishte lajm…

Publiée par Prishtina Weather sur dimanche 29 avril 2018