Sot në kuvendin komunal të Podujevës është mbajtur seanca e jashtëzakonshme për gjendjen e shëndetësisë në Podujevë, njofton Llapi.info
Iniciuesi kësaj seance ishte asamblisti nga AAK, Patriot Rudari, i mbështetur nga grupi parlamentar i VV-së dhe i PDK-së.
Në fjalimin e tij, shefi i grupit parlamentar të VV-së në Podujevë, Fitim Haziri tha se komuna e Podujevës vazhdon të ketë parregullsi në shëndetësi, duke mos u hapur spitali i cili u përurua në vitin 2015.
“Shëndetësia në Podujevë, në masë të madhe, vazhdon ti ketë parregullsitë e njëjta për vite me radhë kjo si pasjojë e keqmenaxhimit që është duke u bërë nga pushteti lokal në këtë institucioin. Kjo qeverisje për të pasur një menaxhim të mirë në sektorin e shëndetësisë hapin e parë që do ishte dashur ta ndërrmarrte, do ishte përdorimi i sistemit të meritokracisë që do të thotë vendosja e njerëzve adekuat në pozita adekuate” tha Fitim Haziri.
Sipas Hazirit mos funksionalizimi i spitalit i cili u premtua të bëhet më 2017, vazhdon të jetë si ‘Spital i Vdekur’.
“Më 2 dhjetorë të 2011 u vu gurthemeli i ndërtimit te repartit te Maternitetit në kuadër të QKMF-së në Komunën e Podujevës, në 2015 u bë përurimi i objektit nga ish-kryeministri Isa Mustafa ndërsa në 2016 u morr vendim për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në po këtë objekt ,që ky spital të bëhet funksional gjatë vitit 2017. Që nga ajo ditë ky objekt qëndron i përuruar por jo funksional lirisht mund ta quajmë Spital i Vdekur” tha Haziri.
Kurse, kryetari i VV-së në Podujevë Bajram Ajeti tha se si pasojë e mos hapjes së spitalit të premtuar, VV në Podujevë ka vendosur përpara spitalit një kurorë lule.
“Probleme në shëndetësisë në Komunën e Podujevës ka shumë, andaj duhet të bëhet një komision hetues edhe të hynë çështjes se ku është e vërteta. Ne ishim tek spitali nëse mund të quhet i tillë, bëmë homazhe dhe i dërguam kurorë me dhimbje e dërguam sepse, u përmend 2011, 2015 përurimi por që ende nuk është në funksion” tha mes tjerash Ajeti./Llapi.info/