Edhe sot në ora 9:00 të mëngjesit njësia për kërkim-shpëtim e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ekipet e tjera vullnetare kanë filluar kërkimet për policët e zhdukur nga aksidenti i së shtunës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë për lajmi.net, se ende nuk ka ndonjë rezultat nga kërkimet që po vazhdojnë.
Gashi ka thënë se sot është zgjeruar perimetri në pjesën malore dhe po marrin pjesë mbi 150 pjestarë.
“Po kërkimet në ora 9:00 kanë filluar dhe janë duke vazhduar. Në njërën pjesë është zgjeruar perimetri në mal, edhe një herë po e kontrollojnë një pjesë. Si dhe prej kilometrit 4.5 prej vendit të ngjarjes nga Elez Hani dhe nga kufiri është duke vazhduar kërkimi për momentin. I kemi të gjitha njësitë, rreth 150 pjesëtar që janë aktiv në kërkim. Diçka konkrete në lidhje me personat e zhdukur deri më tani nuk ka”, ka thënë Gashi për lajmi.net.
Kujtojmë, se aksidenti ka ndodhur të shtunën rreth orës 20:45, ndërkaq kërkimet po vazhdojnë edhe sot pasi nuk ka pasur asnjë të gjetur që zbulon këtë aksident, deri tani të mistershëm.