Në seancën e mbajtur të hënën në kuvendin komunal të Podujevës u diskutua për gjendjen e Shëndetësisë në Podujevë, njofton Llapi.info

Këshilltari nga radhët PDK-së Arbër Blaku, para foltores theksoi disa probleme që ballafaqohet spitali në Podujevë.

“Problemi i parë në Podujevë është, shkojnë hina në oborrin e spitalit i ki nja 20 qen, mas pari prej makine nuk mundesh me dal prej qenve. Masnej shkon në Gjinekologji doktoreshën e gjen aty minimalisht. Këtu në Podujevë, s’po jemi në gjendje një infuzion të hajrit me marrë mas pari shiringa nuk ka, gjilpëra s’ka. Secilin problem që të kesh të thonë shko në Prishtinë” ka thënë Blaku.

Pas këtyre fjalëve, Blaku mori një replikë nga këshilltari nga LDK Mirsad Kamerolli, i cili tha se për të mos shkuar në Prishtinë duhet të funksionalizohet spitali në Podujevë.

“Për me i pas shiringat, e infuzionet duhet me pas furnizime prej Ministrisë së Shëndetësisë. Na për me pas shërbime shëndetësore të mira, duhet me fillu me funksionalizu spitalin” ka thënë Kamerolli.

Ndërsa, drejtori i QKMF-së, Zaim Thaçi iu drejtua Blakut se vrasja e qenve është e ndaluar me ligj.

“Qentë endacakë janë të mbrojtur me ligj, nuk kemi të drejtë me i vra. Është strategji për me i mbajt në kontroll e me i izolue, e procedura të tjera, por jo me i vra” ka thënë Thaçi./Llapi.info