Për të pestën ditë me radhë Policia, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe qytetarë vullnetarë po zhvillojnë kërkime për dy policët e zhdukur të aksidentuar me veturë zyrtare në magjistralen Hani i Elezit – Kaçanik të cilët po dyshohet se kanë rënë në rrjedhën e lumit Lepenc. Në kërkime sot është përfshirë edhe zhytësi më profesionist në Kosovë, Ismail Kasumi.
Ai me këtë rast nëpërmjet telefonit për Gazetën Express ka thënë se “s’du me ndi për Ramush Haradinajn”, i cili një ditë më parë i reagoi zhytësit 70 vjeçar.
Ismail Kasumi, zhytësi i parë me këtë profesion në Kosovë, ka pritur ftesën e organeve kompetente të Kaçanikut për t’iu bashkuar aksionit për gjetjen e trupave të dy policëve, Malësor Dashit dhe Armend Drenës të cilët dyshohet se ranë në lumin Lepenc në mbrëmjen e së shtunës.
Kasumi për katër ditë nuk kishte marrë pjesë në kërkime me arsyetimin se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare për të qenë pjesë e ekipit të zhytësve.
Por rreth këtyre deklaratave të Kasumit të cilat ia ka dhënë ditë më parë, ka reaguar edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj duke i kërkuar që të mos bëjë presion në punën që po bëhet.
“I kisha bërë të fala një zhytësi që po e quan vetën maestro, e kish lutur mos t’iu bëjë presion këtyre djemve nga të nxehtit atje”, tha Haradinaj.
E Kasumi një ditë pas ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të Haradinajt. Ai ka thënë se nuk do të merret me deklaratat e Haradinajt. Por, ia ka kujtuar atij një mirënjohje që ia kishte dhënë pas përfundimit të luftës.
“Zoti Haradinaj as që du të merrem me të. Për ato që i thotë nuk kam asnjë koment. Thotë se nuk e njoh Ismail Kasumin. Por ka qenë Ismail Kasumi i cili për herë të parë kur është kthye nga lufta i ka dhënë mirënjohje. As që du me ndi për të”, ka thënë Kasumi.
Tutje ai ka bërë të ditur se sot gjendet në vendin e ngjarjes si dhe po e vazhdon punën rreth gjetjes së policëve.
“Ne jemi duke u përgatitë që të hyjmë në ujë. Terreni është jashtëzakonisht i papërshtatshëm. Uji është i shpejtë, i cekët. Shtrati i lumit është katastrofë i dëmtuar”, thotë Kasumi.
Policët e aksidentuar të shtunën kanë qenë në një makinë zyrtare në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit dhe më pas vetura ka rënë nga ura e lumit Lepenc.
Kërkimet po bëhen edhe në anën e kufirit me Maqedoninë. Autoritetet atje janë në kërkim për gjetjen eventuale të trupave të dy policëve, pasi dyshimet janë që rrjedha e ujit ka mundur të bart trupat e policëve.