Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vazhduar edhe sot iniciativën e tij, që bashkë me ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e ka nisur, për projektin e Qyteteve të Shëndetshme.

Me fokus Prishtinën, si qytetin i cili ka pasur shumë probleme viteve të fundit me ndotjen e ajrit dhe ambientit, ministri Ismaili me ekspertët nga OBSH-ja ka takuar sot kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Haradinaj.

Nga ta, ministri Ismaili ka kërkuar mbështetjte politike dhe institucionale për zhvilluar projektin për Qytete të Shëndetshme edhe tek ne.

“Qytetarët tanë duhet të kenë mundësi të jetojnë dhe të punojnë në vendbanimet e tyre pa u frikësuar dhe pa u rrezikuar nga ambienti i ndotur, që është burim i problemeve shëndetësore. Në iniciativën tonë për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytetin tonë dhe për ta bërë Prishtinën dhe qytetet tjera më të jetueshëm për të gjithë, sot me ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, patëm takime shumë të rëndësishme me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj”, ka njfotuar Ismaili. Më tej, ai ka treguar se Kryetari Veseli dhe kryeministri Haradinaj shprehën vullnetin e tyre politik dhe institucional për të mbështetur misionin e OBSH-së për të zhvilluar projektin e Qyteteve të Shëndetshme edhe te ne. Sipas Ismailit, duke pasur qytete më të shëndetshme, do të ketë edhe jetë më të shëndetshme për qytetarët tanë.