Në seancën e fundit të mbajtur në kuvendin komunal të Podujevës, u fol për gjendjen e Shëndetësisë në Podujevë, seancë kjo e iniciuar nga këshilltari i AAK-së Patriot Rudari, njofton Llapi.info

Këshilltari nga PDK Rafet Llapashtica, në foltore u shpreh se ka pasur parregullsi në punësime në Qendrën Emergjente të Podujevës.

Ai i adresoi edhe disa probleme tek drejtori Zaim Thaçi, që QKMF ballafaqohet çdo ditë.

“Problemet nuk kemi me mujt me i zgjedh pa e funskionalizu spitalin. Po kështu nuk zgjidhet problemet, se edhe vet Zaimi djalin e motrës menihere e ka bë shef të Emergjencës pa asnjë ditë përvojë punë, e qysh me zgjedh tash këtë çështje. Problemi primar nuk zgjidhet me fëmijët tonë, por i nderuar Zaim problemi zgjidhet me mjek që kanë vizion për shëndetësi primare. Nuk është etike me shku në spital e me pa dyer te thyera, e kafshë brenda” ka thënë ai.

Ndërsa, në lidhje me çështjen e punësimit, drejtori i QKMF-së Zaim Thaçi foli për praktikën që bëhet në QKMF e Podujevës nga 70 studentë.

“Ne kemi obligim me bashkëpunue me institucionet akademike si Fakultetet të Mjekësisë, kolegje private që kanë drejtime shëndetësore. Dhe e kemi obligim me iu ofrue hapësirë që ata me marrë njohuri praktike brenda periudhës së caktuar. Për momentin i kemi 70 studentë që janë duke bërë praktikë. E mos të mendon dikush që është punësuar dikush me një format tjetër sepse nuk është e vërtetë” ka thënë Thaçi.

Megjithatë, këto fjalë nuk i ka dëgjuar në seancë Llapashtica, pasi që në momentin kur iu dha fjala Thaçit PDK dhe VV lëshuan sallën e kuvendit./Llapi.info