Jim Dowson, nga Airdrie në North Lanarkshire, raportohet të ketë përdorur paratë e të ardhurave nga marketingu në këto faqe për të financuar grupe militantësh të krishterë në Kosovë që po përgatiten për “luftë kundër islamit”.

Dowson, që mohon këto akuza, ka qenë dikur aleat i liderit të Partisë Nacionaliste Britanike, Nick Griffin, dhe bashkëthemelues i Lëvizjes Së Pari Britania, faqet e së cilës në Facebook janë mbyllur.

Një hetim i BBC ka nxjerrë në pah se ai ishte lider i Knights Templar International (KTI), një grup militantësh të krishterë me bazë në Britaninë e Madhe.

Pagesa më e ulët për t’u anëtarësuar në KTI është rreth 70 euro, që do të thotë se vetëm nga anëtarësimet janë përfituar mijëra euro.

Në një intervistë për një emision të djathtistëve ekstremë në Amerikë, Dowson ka thënë se ka dërguar jelekë anti-plumb dhe pajisje taktike tek militantët në Kosovë.

Pajisjet ushtarake që besohet se KTI ka dërguar në Kosovë

Hetimi i BBC po ashtu ka nxjerrë në pah një video, ku ai shihet duke kërkuar para për blerjen e këtyre pajisjeve, duke thënë se kanë nevojë për dylbi që mund të përdoren natën, uniforma dhe pako ushqimore, sepse pritet që së shpejti të nisë sulm.

Jim Dowson flet për betejën mes të krishterëve dhe myslimanëve

Duke u përgjigjur në këto pretendime të BBC, Dowson ka thënë se do të ishte supozim i çmendur sugjerimi se ai po ngriste tensionet në regjion, duke shtuar se është e rëndësishme për njerëzit e asaj pjese që të kenë jelekë mbrojtës.