Vendet perëndimore tash e një kohë të gjatë po përpiqen ta ndryshojnë formatin e bisedimeve për Kosovën në Këshillin e Sigurimit ë Kombeve të Bashkuara, thotë kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, transmeton Koha.net.

Mediet më herët kanë raportuar se Londra do të mund të kërkojë ndërprerjen e mbledhjeve për Kosovën ose të kërkojë që ato të jenë të mbyllura për publikun. Qëllimi i kërkesës, ankohet b92, do të ishte që çështja e Kosovës të bartej në korpusin e “çështjeve procedurale” sepse në atë format Rusia dhe Kina nuk do të mund ta përdornin veton.

“Këtë po përpiqen ta bëjnë qe një kohë të gjatë Britania e Madhe, SHBA-ja, Franca dhe të gjithë ata që e kanë njohur Kosovën. Ata po thonë se në Kosovë nuk ka probleme, se nuk ka nevojë për raporte gjashtëmujore, porse vetëm të shkohet në mbledhje plenare e… Këtë e bëjnë tash e një kojë të gjatë dhe nga këndi i tyre ata punën e vet për Kosovën tashmë e kanë përfunduar”, thotë Vuçiq, transmeton Koha.net .

Ai ka thënë se ”nuk është lehtë, porse do të vazhdojmë të luftojmë”.

“Periudha para nesh është vendimtare dhe e vështirë për vendin tonë, për qytetarët tanë, për popullin tonë. Pres presione të mëdha, por ne duam të përpiqemi të arrijmë te një zgjidhje kompromisi. Mbetet të shohim e të presim çfarë mendojnë t’i ofrojnë ata Serbisë dhe ne pastaj do të marrim vendime”, thotë Vuçiq.

Veç kësaj, ai ka theksuar se Rusia dy herë e ka ndihmuar Serbinë me veto në Këshillin e Sigurimit dhe pret përkrahjen e hapët të Rusisë edhe në të ardhmen.

Vuçiq ka thënë se për këtë çështje do të bisedojë edhe me miqtë kinezë

“Kemi ardhur në situatën ku çfarëdo që të veproni – do pendoheni dhe çfarëdo që të bëni- nuk do të jetë e mirë. E po në çdo kafene të Beogradit njerëzit ulen e flasin se si Murinho e Guardiola nuk kanë lidhje me futbollin. E çfarë do të thonë ata pastaj për njëfarë Vuçiqi, pasi Kosova me miliona vite është jona, ndërsa ata vetë do t’i kishin udhëhequr më mirë bisedimet”, ka përfunduar Vuçiq.