Dhjetëra qytetarë të Prishtinës që në orët e hershme të mëngjesit ishin nisur për në qendrat mjekësore familjare në Prishtinë për të marrë insulina.
Kishte shumë prej tyre që tashmë dy muaj nuk kishin marrë medikamentin jetik për sëmundjen e diabetit. Edhe pse Ministria e Shëndetësisë kishte shpërndarë insulina, ato edhe kësaj radhe janë të kufizuara dhe nuk përmbushin kërkesat e të gjithë pacientëve që kanë nevojë për to, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
T.B., rreth të 50-tave, po priste me librezë në dorë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë që të merrte një insulinë, të cilën, siç ka treguar ajo, nuk ka mundur ta marrë qe dy muaj. Ajo ka rrëfyer për “Zërin” se vazhdimisht ka mungesa të këtij medikamenti, andaj edhe është e detyruar që vetë ta blejë atë në barnatore me çmim 10 euro. “Kam dëgjuar se kanë sjellë insulina dhe erdha të marr. Qe dy muaj nuk kam marrë. Po ka mungesa të insulinës dhe po më duhet të dal dhe t’i blej vetë në barnatore.
I kam blerë disa herë dhe më kanë kushtuar 10 euro”, ka thënë ajo. Hallin e njëjtë me të po e ndajnë edhe shumë pacientë të tjerë, të cilët me libreza në dorë po prisnin në radhë për të marrë insulina. “Mos pritni shumë, sepse paska prapë mungesa të insulinave”, u shpreh njëra nga pacientet sapo doli nga dera e barnatores së Qendrës së Mjekësisë Kryesore Familjare në Prishtinë.