Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj e ka kundërshtuar hapur Behgjet Pacollin në përpjekjen e këtij të fundit që Kosovën ta anëtarësojë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI).

Krejt përplasja e tyre po bëhet me deklarata në rrjetet sociale, ku Dedaj ka shkruar se Kosova duhet të jetë pjesë e BE’së, NATO’s, OKB’së, UNESCO’s por jo edhe OBI’së.

“Jo, Kosova në OBI”, ka shkruar Dedaj.

Ky reagim i Dedajt ka ardhur pak minuta pasi Pacolli njoftoi se ka shkuar në Bangladesh për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës në OBI.

“Nga vizitat në shtete të veçanta të Azisë, mbërrita në Daka, Bangladesh ku si i ftuar i homologut tim të këtij vendi po marr pjesë në Ministerialin e 45 të vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit islamik”, ka shkruar Pacolli, nga Bangladeshi.

Pavarësisht se Pacolli dhe Dedaj punojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë dallime të mëdha sa i përket anëtarësimit të Shtetit në mekanizma ndërkombëtar.

Sipas Dedajt, anëtarësimi në OBI është i dëmshëm dhe nuk duhet të ndodhë.

“Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës, për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore Islamike (OBI), një hap i nxituar dhe i dëmshëm, i cili rrezikon, cenon dhe neglizhon perspketivën euroatlantike të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Dedaj, shkruan Gazeta Express.

OBI numron 57 shtet anëtare, shumica e të cilëve janë vende me sistem shtetror islame, dhe prej tyre disa shtrihen në Lindjen e Mesme, në Veri, në Azinë Juglindore, Azinë Jugore dhe në Amerikën Jugore. Gjuhët zyrtare e OKI-së janë gjuha arabe, gjuha angleze dhe gjuha frënge. Kjo organizatë paraqitet si përfaqësuese e përgjithshme e botëkuptimeve islame në botë.

Pavarësisht kësaj, Pacolli ka vazhduar vizitën në Bangladesh dhe pjesëmarrjen në konferencën e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe ka takuar Kryeministren e atij vendi.

“Kryeministrja e vendit Sheikh Hasina e çeli konferencën ku marrin pjesë dhjetra ministra të jashtëm të vendeve antare, vëzhguese,etj. U takova me shumë homologë, me synim njohjen e Kosovës, zgjerimin e miqve për antarsim në Interpol, etj. Mes tyre takova dhe ministren e jashtme të Kanadasë, ku jetojnë 1,5 milionë myslimanë. “kini besim në mbështetjen tonë se ne jemi miq të Kosovës”, më tha Kristia Freeland”, ka shkruar Pacolli.

Zëvendëskryeministri Pacolli përpos problemeve me Dedajn ka pasur edhe me Zëvendësministrin tjetër, Anton Berishën. Madje, ky i fundit, kishte lëshuar akuza ndaj Shefit të tij në Ministri, se institucionet nuk duhet të shfrytëzohen dhe trajtohen si prona private.