Komisioni Qendror Zgjedhor është duke pritur rishikimin e buxhetit në Kuvend në mënyrë që të krijohet mundësia që të paguhen komisionerët që kanë punuar gjatë zgjedhjeve 2017.
Siç bën të ditur KQZ, me rishikimin e buxhetit në Kuvend do të krijohet mundësia që të bëhet pagesa e 1 mijë e 671 personave që janë angazhuar në zgjedhjet e vitit 2017. Ata thonë se për këtë do të jenë në kontakt me Ministrinë e Financave.
“Nga rreth 50 mijë persona që u patën angazhuar në proceset zgjedhore të vitit të kaluar vetëm 1 mijë e 671 prej tyre (komisionerë, staf i QNR-së dhe K-Vote) nuk kanë marrë pagesën për angazhimin e tyre, për arsye të ndryshme. Në total obligimet e bartura për këtë vit janë 140 mijë euro”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ’së.
Ai thotë se është e pamundur që të mos kenë obligime të bartura nga një vit në tjetrin në rrethana kur zgjedhjet mbahen më fundvit.
KQZ kishte kërkuar nga Ministria e Financave që ta rishikojë buxhetin dhe të kryej obligimet e mbetura ndaj komisionerëve për zgjedhjet 2017, por kërkesa e KQZ nuk është marrë parasysh nga kjo ministri.