Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa- Remi, i cili mori pjesë sot në rivarrimin e dëshmorëve dhe përurimin e Kompleksit Memorial të Dëshmorëve të “Zonës Operative të Llapit” tha se duke i parë të bashkuar në këtë kompleks neve na motivojnë të punojmë pandalshëm në rrugën tonë evropiane, raporton Llapi.info.

“Jemi mbledhur sot për të shënuar ditën e dëshmorëve të kombit, për të kujtuar dhe nderuar veprat e dëshmorëve të gjitha kohërave duke nderuar trimat që me sakrificën e tyre kanë treguar në epokat e ndryshme të historisë kombëtare. Secili nga ne e dinë shumë mirë se popullit tonë kjo liri i ka kushtuar shumë, e për të bërë realitet këtë liri ranë luftëtarë të shumtë dhe idealistë si ushtarë dhe eprorë të UCK-së. Shtypjeve të dhunshme dhe padrejtësive sistematike nga armiku iu kundërvënë Ushtria Çlirimtare e Kosovës me ndihmën e popullit dhe shteteve mike” tha ai.

“Duke qenë se jemi në zonë kufitare e kishim parashikuar se këtu do të shkrepte Pushka e Parë e Lirisë, krismat e pushkës së komandant Zahir Pajaziti, këto krisma pastaj u dëgjuan në gjithë Kosovën. Rënia e tyre heroike neve na jep mundësinë të jetojmë të lirë, të pavarur dhe të barabartë” përfundoi Mustafa.

Ish-komandanti bëri thirrje që të punohet me përkushtim dhe atdhedashuri për të forcuar institucionet shoqërore, për të respektuar rendin dhe ligjin që të mburren brezat e ardhshëm në liri ne me veprat tona./Llapi.info.