Foto ilustrim

Ende nuk është e qartë nëse Ushtria e Kosovës do të formohet përmes ligjit apo ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë pritet që javën e ardhshme, projektligji për ushtrinë të procedohet në Qeveri. Ministria e FSK’së thotë për Express se në bazë të Draft ligjeve të dërguara nga kjo ministri, përcaktohet edhe qasja e transformimit mbi ndryshimet kushtetuese

Kosova po vazhdon të përballet me sfidën e kamotshme për ta pasur ushtrinë. Por mosgatishmëria e komunitetit serb në Kosovë për ta dhënë mbështetjen për Forcën e Sigurisë po e mban peng një proces të tillë.

Megjithatë, ndonëse ishte paraparë që projektligji të procedohej në Qeveri më 30 prill, dërgimi i saj do të ndodh javën e ardhshme.

Kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e FSK’së për Gazetën Express. “MFSK  në përputhje me Strategjinë Legjislative  të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Planit Veprues të MFSK-së, me kohë i ka bërë kërkesat tek Ministria e Financave për Deklaratë Financiare të  kostos buxhetore   si dhe dhënies së pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane, që draft ligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Aktualisht, sipas tyre, pritet që Ministria e Financave, ta harmonizojë së shpejti me  KASH-in (Korniza Afatmesme e Shpenzimeve për periudhën 2019-2021) të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Nga kjo ministri kanë thënë se sipas premtimeve që i kanë, Draft Ligjet e kompletuara gjatë javës së ardhshme do  të dërgohen në  Qeveri. Ndërkaq theksojnë se këto draft ligje përcaktojnë qasjen e transformimit mbi ndryshimet kushtetuese.

Sidoqoftë, ndërkombëtarët vazhdimisht kanë bërë thirrje që Kosova të mos tentojë në formimin e ushtrisë përmes ligjit. Këto thirrje e ndaluan para një viti presidentin Thaçi që ta nis transformimin e saj.

Megjithatë, Lista Serbe ende nuk ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje. Kësisoj, Shefi i ekzekutivit kosovar Ramush Haradinaj ka treguar në Pressing në T7 se kur do të bëhet me ushtri Kosova. Ai u shpreh i sigurt se ushtria do të bëhet me ligj, e jo me Kushtetutë.

Ai ka thënë se kjo është çështje e kalkulimeve kohore. “Mund të bëhet këtë verë, mund të bëhet verën tjetër”, theksoi Haradinaj.