Derisa teknologjia ka prekur majat e zhvillimit, mësuesi kosovar punon me dërrasën e zezë dhe shkumësin. Përkundër vendimeve të shumta që fusha e arsimit ka njohur, problemet me rënie të cilësisë dhe mungesa e digjitalizimit të shkollave kanë rënduar gjendjen e arsimit në Kosovë.
Kështu pohojnë njohës të fushës së arsimit në Kosovë, e që sipas tyre, kjo nuk ka ngjarë si rezultat i mungesës së vendimeve të mira, por për shkak të moszbatueshmërisë së tyre.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ismajl Kurteshi, ka renditur për KosovaPress një numër vendimesh që janë marrë në arsim që nga paslufta, vendime të cilat edhe pse shpeshherë shumë të mira, sipas tij të shumtën e herave kanë mbetur vetëm në letër.
“Vendimet dhe realiteti dallojnë shumë. Ne kemi marrë vendime të mira shumë herë, por ato kanë mbetur në letra nëpër sirtarët e tavolinave tona dhe nuk janë vënë asnjëherë në jetë. Dhe ky është problemi. Një ndër vendimet e mira është rezoluta e 19 janarit të vitit 2017 e cila arsimin e përcakton si prioritet kombëtar, por nëse nuk është ndërmarrë asgjë për ta jetësuar atë rezolutë, atëherë ai vendim nuk ka kurrfarë vlere. Ka pasur edhe vendime të tjera, për shembull për një kurrikulë moderne, për reforma të cilat si vendime kanë qenë të mira por nuk janë vënë në jetë”, tha ai.
Sipas tij, gjendja e arsimit është e rënduar dhe për këtë thotë se problemi qëndron tek dembelia kolektive që e ka kapluar shoqërinë kosovare.
“Nuk është arsimi në këtë gjendje të rëndë për shkak se na mungojnë vendimet e mira. Nuk është arsimi në këtë gjendje të rëndë për shkak se na mungojnë ligjet për arsimin, dhe nuk është arsimi në këtë gjendje të rëndë për shkak se na mungojnë institucionet. Arsimi është në këtë gjendje të rëndë sepse na mungon përgjegjësia, na mungon serioziteti, na mungon vullneti, dhe për shkak se na ka kapluar dembelia dhe nuk po e kryejmë punën si duhet për të siguruar një arsim cilësor për gjeneratat e reja”, tha ai.
Ndërsa eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se arsimi në Kosovë është përshkuar me një numër të madh vendimesh. Porse sipas tij, shumica e tyre mbeten të dyshimta.
Në një prononcim për KosovaPress, Pupovci ka theksuar se as vendimet për rritjen e pagave nuk kanë dhënë efekte pozitive.
“Ka pasur vendime të shumta gjatë kësaj dekade. Një pjesë e mirë e të cilave kanë qenë vendime që janë të dyshimta sepse kanë qenë të gabuara. Kemi vendimet për hapjen e 6 universiteteve publike, përveç UP-së, të cilat sot ballafaqohen me vështirësi të mëdha dhe probleme serioze për të siguruar staf akademik të kualifikuar. Pastaj kemi vendimin për zbatimin e kurrikulës së re. Pa përgatitje të duhura ka filluar zbatimi i një forme të re të punës në shkolla, që përsëri mund të lë pasoja në të ardhmen”, është shprehur ai.
Megjithatë, sipas tij fusha e arsimit ka njohur edhe vendime të mira, sidomos ato që kanë të bëjnë me rritjen e pjesëmarrjes në arsim, në shkollimin fillor dhe të mesëm, të cilat siç thotë ai, kanë të bëjnë kryesisht me grupet e margjinalizuara të cilat më parë nuk kanë pasur qasje në arsim.
Ndërkaq, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për KosovaPress ka përmendur gjendjen e vështirë në arsim, duke thënë se edhe në shekullin 21 mësimdhënësi kosovar punon ende me dërrasën e zezë, shkumësin dhe shpuzën.
“Edhe pse nga jashtë, shkollat tona duken të reja dhe kanë një pamje të bukur, nga brenda nuk janë të tilla sepse iu mungojnë kushtet elementare në disa shkolla. Edhe në këtë përvjetor të pavarësisë, mësimdhënësi ynë punon ende me tabelën, shkumësin dhe shpuzën. Dhe aq më keq, kur kemi filluar me kurrikulën e re, e keqja ndodhë se tekstet shkollore ende nuk ka arritur që shteti t’i bëjë të reja, në mënyrë që ato të korrespondojnë me kërkesat dhe kompetencat që i ka kurrikula e re”, theksoi Jasharaj.
E sipas tij, ka mbetur edhe shumë punë për tu bërë. Për këtë, me qëllim të përmirësimit të situatës, Jasharaj propozon të bëhet një platformë kombëtare e arsimit. Platformë e cila sipas tij, do të ishte e obligueshme për cilido subjekt politik që do të jetë në pushtet.