Foto ilustrim

A. Berisha 22 vjeç, për më shumë se 1 vit e gjysmë, punon në një pikë të karburantit të naftës në Rajonin e Prishtinës, pa kontratë pune.

Përveç mospagesës së kontributit, shpeshherë merr edhe dënime nga menaxher, raporton KTV.

Meqenëse punon me një orar të teje të zgjatur nga ora 8 deri në 18 ose nga 18 deri në 8 të mëngjesit tregon se ndodh ta zërë gjumi në vend të punës.

Në rast të festave Berisha tregon se nuk kishte pasur asnjëherë pushim dhe kjo nuk ndodhte vetëm me të, por edhe kolegët e tij të regjistruar.

Vështirësitë në kryerjen e obligimeve për shkollim e kishin shtyre të punonte edhe Drilon S. kamerier në një nga kafenetë e kryeqytetit.

Driloni tregon se pavarësisht se i është thënë se do të punojë 8 orë pothuajse çdo dite orari i tij është shumë më i gjatë.

Këto kushte kanë bërë që Driloni të planifikojë të dalë jashtë vendit në mundësinë e parë që i vjen.

Hiç më mirë nuk qëndron puna në marketet e vendit. Nga frika për të dalë para kamerës se mos humbin vendin e punës, punëtorët kanë treguar për maltretimin që u bëhet çdo ditë.

Thonë se nuk kanë aparate për verifikim të parave false dhe nëse bëjnë ndonjëherë gabim, atëherë duhet të punojnë deri në shlyerjen e këtij borxhi.

Disa nga punëtorët e supermarketeve i kanë thënë KTV-së se ata detyrohen të paguajnë edhe kur ndonjë produkti i skadon afati, e po ashtu e kanë të ndaluar që t’i flitet për dore dikujt që e njohin.

Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve njofton se për 2 vjet e gjysmë kanë ndodhur 32 vdekje, si pasojë e mungesës së kushteve në vend të punës.

Jusuf Azemi nga BSPK-ja thotë se ata kanë dërguar lëndë në gjykata për 64 raste, pasi inspektorati nuk kishte intervenuar ndaj padrejtësive që u bëhen punëtorëve.

Mbi 50 për qind e punëtorëve të sektorit privat, sipas BSPK-së, janë pa kontrata pune.