Presidenti Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes Trena, pas gjetjes së trupit të policit Armend Trena në lumin Lepenc, në hyrje të Hanit të Elezit.
Thaçi ka thënë se institucionet dhe Policia e Kosovës do ta ruajnë gjithmonë kujtimin për Malsor Dashin dhe Armend Trenën.
“Fatkeqësia e dy policëve të rënë në lumin “Lepenc” i ka prekur gjithë qytetarët e vendit. Pas gjetjes së trupit të pajetë të policit Armend Trena, familjes Trena, miqve dhe kolegëve të tij u shpreh ngushëllimet më të thella. Institucionet dhe Policia e Kosovës do ta ruajnë gjithmonë kujtimin për Malsorin dhe Armendin. HTH”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se trupi i Dashit u gjet të enjten dhe u varros të shtunën, kurse atij të Trenës do t’i bëhet autopsia nesër. Të dy policët u aksidentuan më 28 prill në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit.