Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i ka ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune është në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, tashmë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e ka shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”. Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike. Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Ky program është startuar me Mitrovicën e Veriut, por në thirrje thuhet se i njëjti do të jetë me rotacion, ku çdo vit do të jetë rajon i ndryshëm i implementimit.

Me 2 milionë euro do të përkrahen disa sektorë: Sektori i pemëve, Sektori i pemëve, Sektori i qumështit dhe mishit, Sektori i hurdhave të peshqve, Sektori i frutave pyjore jo drusore dhe bimëve aromatike. Në secilën prej këtyre sektorëve që do të përkrahen janë specifikuar edhe investimet që janë të pranueshme ose që do të mund të përkrahen nëpërmjet të granteve.

Por, ky program i veçantë për “zona rurale më pak të zhvilluara”, duke e theksuar “Mitrovicën e Veriut”.

Ministria ka planifikuar që nga ky grant mund të jenë përfitues edhe personat fizik.

“Aplikuesit duhet t’i kenë të shlyera detyrimet tatimore dhe atë, personat fizik, tatimin në pronë, kurse ndërmarrjet, tatimin në të ardhura të korporatave dhe tatimet e tjera të aplikueshme”, thuhet në këtë thirrje për grantim.

Fillimisht ministria ka thënë se nga kjo masë për përkrahjen e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut do të përkrahen projekte deri në 90% të vlerës, mirëpo më vonë e ka lëshuar një përmirësim duke e ulur përqindjen e përkrahjes në 80%.

Në Ligjin për Bujqësinë në asnjë vend nuk thuhet se mund të ketë ndarje të programeve për komuna apo rajone të caktuara.

Plani kombëtar i bujqësisë dhe zhvillimit rural, sipas këtij ligji, duhet të përmbajë edhe fondet publike të nevojshme të përdorura për zbatimin e politikave të bujqësisë dhe zhvillimit rural si dhe masat e nevojshme për monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të programit.

Gjithashtu, neni 12 i këtij ligji thotë se është Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë përgjegjëse për zbatimin e masave të politikës bujqësore dhe zhvillimit rural. Ndërsa, neni 13 thotë se zbatimi i masave duhet të bëhet në bazë të kriterit jo-dikriminues. Ndërkohë, që në këto masa është favorizuar një Rajon.

Ky nuk është programi i vetëm rajonal, pasi kjo ministri ka bërë thirrje për aplikim edhe për një program të dytë që ka për qëllim zhvillimin rural.

Deri në 2 milionë euro për një biznes

Programi i dytë ka të bëjë me për investimet në infrastrukturën rurale, për të cilat janë ndarë 6 milionë euro. Këto mjete do të ndahen në 5 rajone. Përfituesit nga kjo masë mund të marrin grant deri në 2 milionë euro. Kjo shumë është për 10 herë më e madhe se ajo e planifikuar në programin e rregullt të zhvillimit rural, e cila ka të njëjtën mision, por ka vetëm 4 milionë euro buxhet.

Në këtë masë, projektet do të përkrahen nga fondet publike deri në 50% të vlerës së projektit.

Investimet në kuadër të kësaj mase do të shtrihen në 5 rajonet e Republikës së Kosovës, për të cilat është vendosur bazuar në kushtet klimatike të tyre: a) investimet në sektorin e perimtarisë do të shtrihen në Rajonin e Prizrenit, b) investimet në pemëtari rajoni i Mitrovicës, me theks të veçantë pjesa veriore, c) sektori i mishit prodhimtari primare dhe përpunim në rajonin e Pejës, d) ndërtimi i tregut modern për produkte bujqësore në Prishtinë dhe e) ndërtimi i qendrës për përpunimin e mbetjeve organike dhe prodhimin e plehut organik në Gjilan.

Kriteret për të përfituar nga ky fond janë më të larta, pasi kërkohen qarkullime financiare sa dyfishi i kërkesës së përkrahjes nga shteti.

“Në rast se shuma e grantit që kërkohet nga Ministria është 1 milion euro, atëherë aplikuesi duhet të ofrojë dëshmi se qarkullimi financiar në tri vitet e fundit është të paktën 3 milionë euro. Ky proporcion i qarkullimit bankar financiar vlen për të gjitha shumat e kërkuara për të cilat apliuesit aplikojnë”, thuhet në thirrjen për këtë “program të veçantë për investime në infrastrukturë”.

Kjo masë parasheh të përkrah vetëm 50% të vlerës totale të projektit, e cila shkon deri në 1 milion euro.

“Shkalla e mbështetjes nga ana e MBPZHR do të jetë 50% të investimeve, vlera minimale e projekteve do të jetë 500 mijë euro, ndërsa ajo maksimale 2 milionë euro”, thuhet në dokumentin e këtij programi të hartuar nga këshilltarja e ministrit për Bujqësi.

Aplikimi për këtë program do të jetë dyfazësh. Fillimisht bizneset që do të aplikojnë do të futën në listën e ngushtë duke u bazuar në: fuqia e kapaciteteve financiare të agrobiznesit, si dhe kapacitetet e tyre për t’i menaxhuar veprimet e propozuara siç dëshmohen në përvojën e paraqitur.

“Agrobizneseve që janë në listën e ngushtë, për t’u futur në procesin konkurrues, si rezultat i aplikimit të tyre do t’u kërkohet ta paraqesin një plan të plotë financiar dhe plan biznesi”, thuhet në këtë thirrje për këtë grant.

Këto dy programe nuk janë hartuar nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë dhe as nuk do të udhëhiqen nga kjo agjenci. Zbatimi i këtyre masave do të bëhet nga Ministria e Bujqësisë, ndërkohë që neni 12 i ligjit për bujqësinë, plotësim/ndryshimi, thotë se Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë është kompetente për “zbatimin e masave të politikës dhe zhvillimit rural”.

Gazeta Jeta në Kosovë më 2 maj ka dërguar pyetje në Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që udhëhiqet nga Nenad Rikalo, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Gazeta ka pyetur se kush i ka hartuar këto dy programe, nga kush do të zbatohet, si dhe nëse ka shkelje të ligjit rreth këtyre procedurave.

Po ashtu MBPZH është pyetur se në bazë të çfarë matjesh janë përcaktuar rajonet më të pazhvilluara për të nisur aplikimin e këtyre programeve. Ndërsa, sa i përket masës për investime në infrastrukturë, është pyetur nëse ka dublifikim të masave, pasi AZHB-ja e ka “programin e zhvillimit rural (masa 103)”./JNK