Rreth tre muaj janë nevojitur që 25 kilogramë ari të vidheshin nga Dhoma e Dëshmive në Pejë.
Prokuroria dyshon se nga shkurti, deri në prill të vitit 2012, ka zgjatur misioni i vjedhjes së arit nga Dhoma e Dëshmive. Nga brenda besohet se arin e ka nxjerr togeri Ragip Bytyqi nëpërmjet një dritareje, duke ia dorëzuar në dorë Elton Arifaj, i cili po qëndronte jashtë.
Kjo sasi ari dyshohet se ka përfunduar në argjendarinë e Salih Kastratit. Aty sipas Prokurorisë ari është shkrirë dhe është nisur për në Turqi nëpërmjet pikës kufitare të Vermicës.
Deri atje, dyshohet se e ka transportuar Ragip Bytyqi, Xhemë Gashi dhe Besarta Kastrati – Harxhi.
Rreth gjashtë vjet pas vjedhjes së arit në Dhomën e Dëshmive në Pejë, rasti ka mbetur ende i pa zbuluar. Gjashtë persona janë nën hetime. Dy prej tyre policë.
Insajderi ka zbuluar se Prokuroria Speciale e Kosovës po heton togerin, Ragip Bytyqi, zyrtarin policor, Jusuf Idrizaj, djalin e Salih Kastratit, Kastrionin, vajzën e tij, Besartën, tregtarin e arit, Xhemë Gashin, Elton Arifin.
Pjesë e planit fillimisht dyshohet se ka qenë edhe Arian Lluka, por më vonë ai ishte tërhequr.
Por, a ishte vjedhja e arit mbulesë për shkatërrimin e qindra provave në Dhomën e Dëshmive?
Një zyrtar i Inspektoratit Policor të Kosovës i ka treguar Insajderit se rreth në këtë dhomë janë shkatërruar prova materiale të rreth 200 rasteve. Shumica prej të cilave janë vrasje, përfshirë raste në të cilat janë përfshirë numër i madh i njerëzve të fuqishëm të rajonit të Pejës.
“Ne kemi zbuluar shkatërrim të madh provash dhe dëshmish. Armë, gëzhoja, gjumë të ADN-së, e prova tjera të rëndësishme materiale janë zhdukur nga kjo dhomë”, ka thënë ky zyrtar.
Sipas tij, vjedhja e arit është vetëm një mbulesë për krimin e vërtetë që ka ndodhur aso kohe në Pejë.
“Ne kemi dorëzuar në Prokurori një raport të detajuar të evidencave të shkatërruara. Siç duket nuk ka pasur vullnet të hetohet kjo pjesë, por vetëm vjedhja e arit”, ka thënë ky zyrtar.
Prokuroria Speciale po dyshon se i ndjeri Salih Kastrati, së bashku me Ragip Bytyqin kanë formuar, organizuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal për vjedhjen e arit.
Grupi sipas Prokurorisë përbëhet edhe nga Jusuf Idrizaj, ish-zyrtar policor, Kastriot Kastrati, Elton Arifaj, Xhemë Gashi, Besarta Harxhi – Kastrati dhe Arian Lluka.
Sipas Prokurorisë, grupi ka arritur që ta vjedh arin nga Dhoma e Dëshmive me qëllim të shitjes së tij në Turqi. Prokuroria aso kohe kishte vlerësuar se ari do të shitej rreth dy milion euro.
“I ndjeri Sali Kastrati ishte në dijeni se organet e Policisë në Pejë kishin sekuestruar një sasi të arit dhe se kjo sasi ishte vendosur në Dhomën e Dëshmive në Stacionin Policor në Pejë”, pretendon Prokuroria.
Në dosjen hetimore thuhet se Ragip Bytyqi ka siguruar çelësat e Dhomës së Dëshmive dhe një uniformë të Policisë në mënyrë që dikush nga ky grup të futej në dhomën e dëshmive dhe të vidhte arin.
Prokuroria thotë se Salih Kastrati dhe djali i tij, Kastrioti ishin munduar ta bindnin Arian Llukën që të transportonte arin nga Stacioni Policor në Pejë deri te shtëpia e tyre. Por, sipas Prokurorisë, Arian Lluka nuk e kishte pranuar një gjë të tillë.
Pas këtij refuzimi, ishte angazhuar Elton Arifaj. Ai dyshohet se nga shkurti, në bashkëpunim me zyrtarët policorë, Jusuf Idrizaj dhe Ragip Bytyqi gradualisht e kishin nxjerr arin dhoma e dëshmive.
Pastaj, copat e këtij metali të çmuar ishin nxjerr nga stacioni nëpërmjet dritares së zyrës së Ragip Bytyqit, duke ia dhënë në dorë Elton Arifajt.
Kur ari kishte shkuar në shtëpinë e Salih Kastratit, kishte filluar shkrirja e tij dhe ndërtimi tullave prej një kilogram.
“Në shkrirjen e arit fillimisht ka marrë pjesë Salihh Kastrati, Kastriot Kastrati, Elton Arifaj dhe Arian Lluka. Pas lëndimit të Salih Kastratit, në punën e shkrirjes është përfshirë Besarta Kastrati, e cila ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara”, pretendon Prokuroria.
Sasia e arit të vjedhur në stacion të Policisë, ishte shkrirë në 23 tulla një kilogramësh gati për shitje.
Prokuroria pretendon se ari ishte marrë nga Ragip Bytyqi dhe Jusuf Idrizaj për t’ia dërguar Xhemë Gashit. Gashi, do ta transportonte atë për në Turqi. Por, për shkaqe ende të panjohura kjo nuk kishte ndodhur.
Pas dështimit të këtij plani, Prokuroria pretendon se pllakat e arit ishin nisur drejtë Shqipërisë me një veturë Reno Clio. Atë e kishte transportuar Ragip Bytyqi, Xhemë Gashi dhe Jusuf Idrizaj.
Në Vermicë, sipas Prokurorisë, ari është marrë nga Besarta Kastrati dhe i është dorëzuar në kufi një personi tashmë të panjohur.
Me këto veprime, Prokuroria pretendon se ky grup ka kryer veprën penale: krim i organizuar, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe vjedhje të rëndë.
Të gjitha këto pretendime, Prokuroria po i mbështet në deklaratën e Arian Llukës, i cili është bërë bashkëpunëtor i Prokurorisë dhe në një raport të Inspektoratit Policor.
Disa ditë pas vjedhjes së arit në Pejë, Policia kishte arrestuar katër zyrtarë policorë. Të gjithë ata janë liruar nga paraburgimi dhe nga hetimet.
Bajram Koliqi – major, Riza Rexhiqi dhe Muhamet Lama – togerë, si dhe zyrtarja policore Ryve Lokaj, ishin bërë përgjegjës në fillim.
Më vonë është vërtetuar se asnjëri prej tyre nuk kishte përgjegjësi.Hetimi është orientuar nga grupi tjetër pas bashkëpunimit me Prokurorinë që ka ofruar, Arian Lluka. Lluka është i dënuar për vrasje të Fidan Shabit bashkë me Besarta Kastratin.
Kastrati, ka mohuar përfshirjen në vrasje. Ka thënë se vrasjen e ka kryer Arian Lluka. Hetimet ndërkohë ishin shtrirë drejt Ragip Bytyqit, Salih Kastratit, Kushtrim Kastratit, Xhemë Gashit, e Ragip Hajdinit.
Një prokuror i EULEX-it, kishte kryer hetimet e para. Ai dyshonte se Ragim Bytyqi, Ragip Hajdini, Xhemë Gashi dhe Kushtrim Kastrati janë të implikuar në vjedhjen e arit.
Por, tash vetëm Ragip Bytyqi është nën hetime nga fillimi. Të tjerët janë liruar nga procedura, derisa personazhe tjerë po hetohen.
Besarta Kastrati – Harxhi, mohon përfshirjen në këtë vjedhje. Ajo thotë se në kohën kur dyshohet se është bërë pjesë e këtij grupi ka qenë në Amerikë.
“Për vjedhjen e dhomës së dëshmive në Pejë unë kom digju sa kam qenë në burg. Kam shkuar tek prokurori Suad Kuraja, dhe nga ai kam kuptuar se cfarë ka ndodhur me dhomën e dëshmive”, thotë ajo duke mohuar përfshirjen e saj dhe të familjarëve në këtë vjedhje.
“E vërteta është kjo – Besarta ka qenë në Amerikë, Besarta ka ardh në muajin mars në Kosovë, aty shkrun muaji shkurt, që ka fillu qikjo punë edhe deri dikun ka marsi ka mbaru kjo punë”, shton ajo.
Insiston se nga Amerika ka ardhur pas plagosjes së të atit me bombë. Prej ardhjes thotë se gjithë kohën ka qenë në spitale dhe relacionin Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas duke u kujdesur për babanë e plagosur rëndë.
“Në kohën kur babën e kam pasur të plagosur, paskam pasur aftësi me vra Fidan Shabin, me vjedhë në dhomën e dëshmive. Kjo është absurde”, thotë ajo.
Ajo shpjegon se para kësaj vjedhje, Arian Lluka kishte dërguar në banesën e saj dy harta të relacionit stacioni i Policisë, deri tek rruga “Jarina”, afër shtëpisë së tyre.
“Ariani tha kena plan me vjedh ari, 23 kilogram, prej një argjendarit. Jena t’u e përcjell unë me shoqninë tem qe s’di sa muaj. E kena plan me vjedh qat’ ari edhe si në shaka, si në hajgare më ka thanë a po vjen edhe ti me neve”, tregon Besarta Kastrati.
“I kam than Arian Lluka unë e kam gajlen e babës tem, me kësi sene mos më nguc, edhe me kësi sene mos u merr”.