Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, mulla Xhevat Kryeziu, kanë nënshkruar marrëveshjen për mbulimin e shpenzimeve për shërbimet e varrimit të personave të cilët varrosen në territorin e kësaj komune.

Sipas marrëveshjes, Këshilli i Bashkësisë Islame obligohet që të kryejë shërbimet e varrimit, të cilat mbulohen me mjete buxhetore të Komunës së Malishevës.

Në këto shërbime përfshihet regjistrimi i rastit në librin amëz i të vdekurve, hapja e varrit, sigurimi i mjeteve tjera për varrin dhe kufomën me kosto të përgjithshme prej 200 eurove.

Komuna e Malishevës edhe vitin e kaluar i ka mbuluar shpenzimet për shërbimet e varrimit.