Rrjeti i OJQ-ve, Avonet, ka shprehur shqetësim rreth një vendimi të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Sipas tyre Dogana e Kosovës nuk po e respekton vendimin e ministrit, Bajram Hasani, për masat mbrojtëse për qumështin.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim të vazhdimit të mbrojtjes së prodhimit vendor, ka vënë si prioritet që t’i mbështes prodhimet vendore, por nga ana tjetër Dogana e Kosovës nuk është duke e zbatuar këtë vendim, gjë e cila është në kundërshtim të zbatimeve dhe vendimeve që merren nga institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesë.
“Dogana e Kosovës duhet të respektojë vendimet dhe po ashtu të zbatojë të gjitha vendimet që janë në harmoni ligjore dhe që janë të bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës. Moszbatimi i vendimeve krijon dyshime që në këtë institucion, pra në Doganën e Kosovës, ka grupe të interesit të cilat pengojnë mbështetjen e prodhimeve vendore”.
Sipas tyre Dogana e Kosovës duhet ta respektojë çdo vendim që nxjerrin institucionet dhe të distancohen, sipas tyre, nga ndikimet politike dhe presioneve të ndryshme nga grupe të ndryshme.