Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në takim Michael Backer udhëheqës i programit “Fuqizimi i planifikimit hapësinor dhe menaxhimit të tokës” në GIZ, njofton Llapi.info

Në këtë takim, Veliu falënderoi GIZ-in për mbështetje në hartimin e Hartës Zonale.

“Në takimin e sotëm, kryetari i Komunës, Agim Veliu dhe Michael Backer biseduan për mbarëvajtjen e projektit për hartimin e Hartës Zonale dhe hapat që duhet të ndërrmiren brenda këtij viti për t’i realizuar aktivitetet e përbashkëta, të cilat dalin nga marrëveshja e partneritetit mes Komunës së Podujevës dhe GIZ-it. Kryetari Veliu falënderoi GIZ-in për partneritet dhe mbështetje në hartimin e Hartës Zonale, pasi që siç dihet Komuna e Podujevës është ndër komunat e para në nivel vendi që po bën Hartën Zonale.” thuhet në kumtesën e komunës.

Ndërsa, duke iu referuar rëndësisë së Hartës Zonale, kryetari Veliu tha se po hartojmë një dokument, i cili do të jetë multisektorial dhe përcaktues i hollësishëm i llojit, destinimit dhe shfrytëzimit të planifikuar të hapësirës.

“Pra Harta Zonale e Podujevës do të jetë dokument ligjor i komunës, i cili përcakton dhe vendos rregulla se si të shfrytëzohet toka. Pra qëllimi bazë i këtij dokumenti do të jetë ruajtja e tokës bujqësore në Komunën e Podujevës”, ka thënë Veliu.

Ndryshe, në këtë takim  ishin prezentë edhe Hamdi Jaha – drejtor i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe Veton Jaha – udhëheqës i Ekipës Komunale të Planifikimit (EKP)./Llapi.info