Për 40 vite, komuna e Podujevës ia ka lëshuar falas rreth tre ari e gjysmë tokë kompanisë së energjisë elektrike KEDS, raporton Llapi.info.

Partia e vetme e cila doli kundër këtij vendimi ishte ajo e Vetëvendosjes. Sipas saj lëshimi falas i kësaj toke një kompanie private është vendimi më absurd i kryetarit të Komunës, Agim Veliu.

“Ne grupi i këshilltarëve të LVV- së jemi kundër këtij  propozimi që pronat komunale ti jepen një kompanie private pa kompensim. Këto prona përfshijnë 21 vendbanime me një sipërfaqe prej 238 metra katror afër tre ari e gjysmë. Duhet ta dimë se kjo nuk është pronë private sepse po të ishte jam i sigurt që nuk do t’ua kishit dhënë. Po harroni që kompania në fjalë ka obligim dhe detyrë që të shpërndajë  rrjetin e energjisë elektrike deri tek konsumatori i fundit. Jemi ndër komunat që më së shumti diskriminohemi me furnizim të energjisë elektrike në Kosovë dhe të vie propozimi nga i pari i komunës që kësaj kompanie t’i jepet pronë pa kompensim është absurde dhe jo ligjore” tha shefi i këshilltarëve të VV- së, Fitim Haziri.

Mirëpo edhe përkundër se VV kundërshtoi, gjithë partitë tjera në Kuvendin Komunal votuan pro lëshimit të tokës kompanisë së KEDS-it.

Madje shefi i këshilltarëve të PDK- së Fatmir Rudari dha edhe arsyet se pse do ta votojë këtë pikë të rendit të ditës.

“Ne do ta votojmë këtë pikë. Kemi provuar që ta japim me qira këtë pronë por ka qenë e pa mundur edhe në mandatin e kaluar” tha ai.

Në këtë hapësirë prej 3 ari e gjysmë do të hyjnë rreth 34 pjesë të pronave komunale ku prej tyre 32 pjesë janë nga 9 metra katrorë ndërsa, dy nga 25 metra ku gjithsej bëhet fjalë për 338 metra katrorë. Në këto sipërfaqe do të vendosen 32 trafo me shtyllë.

Përveç kësaj komuna e Podujevës sot miratoi edhe vendimet për dhënien në shfrytëzim për një hapësirë të tokës Ministrisë së Brendshme, Kompanisë regjionale të Mbeturinave KRM “Pastrimi” si dhe dhënien në shfrytëzim të lokalit të SHKSH-së./Llapi.info