Të dy veshin fanellën me numër 10, gjithashtu të dy veshin fanellën me ngjyrat kuq e kaltër dhe ata të dy kanë një talent shumë të veçantë.
Kështu nisë shkrimi në faqen e Barcelonës për njërin nga lojtarët më të mirë që ka njohur bota e futbollit, Lionel Messin dhe talentin e jashtëzakonshëm shqiptar Enis Bardhin.
Ylli i Barcelonës është golashënuesi më i mirë në La Liga këtë edicion me 34 gola të shënuar deri më tani.
Gjashtë nga këta gola gjeniu argjentinas i ka shënuar nga gjuajtjet e lira.
Por pozitën e parë për golat nga gjuajtjet e lira po ia rrezikon talenti shqiptar i Levantes, Enis Bardhi që ka shënuar pesë herë.
Ka qenë faqja zyrtare e kampionëve të Spanjës që i ka kushtuar një shkrim dy specialistëve të gjuajtjeve të lira.
“Messi – Bardhi, do të jetë një duel i snajperëve ballë për ballë”, thuhet ndër tjera në faqen zyrtare të Barcelonës.
Bardhi këtë edicion ka shënuar shtatë gola në La Liga, ku pesë prej tyre ishin nga gjuajtjet e lira.
22-vjeçari ka realizuar nga gjuajtjet e lira ndaj Bilbaos dy gola, Deportivo La Corunas, Real Sociedadit dhe Leganes.
Ndërkohë Messi i ka shënuar nga goditjet e dënimit Real Sociedadit, Las Palmasit, Alavesit, Atletico Madridit, Gironas dhe Leganesit.
Ndeshja mes Levantes dhe Barcelonës luhet ditën e diel me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi