Sa vjen e rritet numri i personave të prekur nga alergjitë e pranverës. Në Klinikën e Alergologjisë dhe Imunologjisë pranë QKUK-së, thonë se brenda ditës janë paraqitur deri në 78 pacientë me simptome të alergjisë.
Arlind Jupolli nga Prishtina, bashkë me djalin e tij kishte ardhur në Klinikën e Alergologjisë për të bërë testin e alergjisë, pasi që dyshonin se kishin alergji ndaj polenit.
Testi i tyre rezultoi të jetë pozitivë, ndonëse ata probleme të tilla kishin edhe më parë.
Teshtima, rrjedhje të hundëve e kruajre të syve ishin disa nga simptomat me të cilat po manifestohej alergjia tek Jupolli dhe djali i tij.
“Jemi drejtuar këtu për shkak se mendojmë se kemi alergji nga poleni, kemi ardhur sot me i bërë testet bashkë me djalin dhe siç po shihet kanë rezultuar pozitiv, është alergji sezonale që ka si simptoma teshtimën, rrjedhjen e hundëve, kruarje të syve…Kemi pasur por nuk kemi ardhur kemi përdorur disa medikamente që na janë sugjeruar por për shkak edhe të djalit jemi ardhur sot që të bëjmë kontroll”, u shpreh Jupolli për KosovaPress.
Për dallim nga Jupolli i cili ka alergji në polen, Fikrie Ademi nga Prishtina po ballafaqohet me simptoma alergjike për shkak të përdorimit të një medikamenti për heqjen e dhëmbëve.
“Kam pasur një reaksion lidokain në preparat i cili përdoret për largimin e dhëmbit, mirëpo ka qenë një dyshim, kështu që unë tash problemet e mija që po shfaqen për me i largua dhëmbët është që unë tani duhet ta bëjë një provokim me këtë preparat për me konstatuar a është tamam alergji e saktë apo ka qenë ndonjë reaksion momental”, ka deklaruar Ademi.
Ajo për KosovaPress po ashtu tha se ajo asnjëherë më parë nuk ka pasur simptoma të alergjive e aq më pak të atyre me medikamente medicinale.
Se numri i prekurve nga alergjitë është shtuar e thotë edhe alergologia në Klinikën e Alergologjisë dhe Imunologjisë Klinike, Bardha Selmanaj Bislmi, e cila ka bërë të ditur se për 15 për qind këtë vit është rritur numri i pacientëve me alergji.
Tutje ajo shton se si pasojë e kushteve klimatike sivjet edhe simptomat e alergjisë janë më të fuqishme.
“Sa i përket numrit të pacientëve kur e bëjmë krahasimin në mes të viteve të kaluara dhe këtij viti, numri i pacientëve është në shtim, mund lirisht të themi diku rreth 10-15 për qind është numër më i madh se vitin e kaluar. Vlen të ceket në krahasueshmëri me vitet e tjera, sivjet simptomatologjia e pacientëve është më e fuqishme do të thotë këtu ka rol të rëndësishëm edhe ndërrimi i klimës në nivel global, e kam fjalën kjo ngrohja globale, industrializmi, gjitha këto po ndikojnë, mirëpo, sivjet pacientët, numër i madh i tyre diku rreth 70 për qind të rasteve i kemi pasur me probleme respiratore të rrugëve të poshtme të cilët janë të shoqëruar me bronkite edhe një numër i tyre kanë rezultuar edhe me asmë bronkiale me natyrë alergjike”, u shpreh Bislimi.
Doktoresha e kësaj klinike thotë se gjatë kësaj periudhe brenda ditës klinikën e Alergologjinë e kanë frekuentuar deri në 80 persona, ku prej tyre 90 për qind kanë rezultuar se kanë probleme me alergji.
Sipas saj, këtë vit përveç lotimit të syve, teshtimave, kruarjve të veshëve, kollitjes, alergjitë po manifestohen edhe me asmë bronkiale.
“Numri mesatar që ndër të nuk bie është 45-48, kemi pasur raste që edhe 78 pacientë e kanë frekuentuar ambulantën tonë, domethënë është një ngarkesë ku me shërbim ambulator gjatë ditës është intervali i shkurt kohor për menaxhua të gjitha këto raste…Diku 90 për qind rezultojnë me alergji sepse i kanë simptomet të cilat i përcjellin ndër vite por këtë vit është fuqizuar simptomatologjia, është domethënë klinika më e vrazhdë, përveç një lotimi të syve, teshtima, kruarje të veshëve, kruarje e qiellzës, kollitje të pa nevojshme, plogështi, kokëdhimbje e quajmë migrenën alergjike janë manifestuar bronkitet obstruktive. Kemi edhe raste më të avancuara që shoqërohen me asmë bronkiale”, ka deklaruar ajo.
Kurse, më të prekur nga alergjitë sezonale të pranverës janë fëmijët dhe adoleshentët.
Ajo ka këshilluar të gjithë qytetarët e Kosovës që nëse i kanë këto simptome të lartë cekura të drejtohen në institutin B, pranë Klinikës Alergologjisë dhe Imunologjisë për të kryer testin e alergjisë me qëllim që të marrin trajtimin mjekësor me kohë.
Sezoni e alergjive nis nga muaji mars, por shtimi i numrit të pacientëve të prekur nga alergjia sipas alergologëve po ndodhë për shkak të temperaturave të larta që mbretëruan në muajin prill.