Hapësirat publike në Podujevë, vazhdojnë të kenë mungesë të ndriçimit, raporton Llapi.info
Sheshi përballë komunës së Podujevës, parku tek ‘biblioteka e qytetit’ lagje e rrugë, janë tashmë vendet publike që janë kapluar nga terri.
Mos ndriçimi ka bërë që edhe frekuentimi në këto hapësira publike të jetë shumë i vogël. Kabllo të këputura, llamba të thyera, ndodh shpesh që qytetarët të hasin në këto vende.
Sipas qytetarëve, mungesa e dritave është bërë për shkak të neglizhencës së organeve përgjegjëse.
“Në krejt botën, parqet e sheshet kanë drita e kanë ku me nejt. Këtu te na përveç disa rrugëve, drita në hapësira publike nuk ka. E kjo ndodh vetëm këtu se s’ka udhëheqës të mirë. Tash edhe u ndreq moti e me dal njeri pak në ajër të pastër këtu ski ku” potencoi B.K
Të njëjtin shqetësim ka edhe Hanife Berisha, një grua e moshuar e cila tha se pas rënies së mbrëmjes eviton të dalë në sheshin e qytetit. Ajo tha se mungesë të ndriçimit ka edhe në lagje tjera të Podujevës.
Kurse, zyrtarët komunalë të Podujevës thonë për Llapi.info se ka mbetur vetëm të nënshkruhet kontrata me kompaninë e cila bën mirëmbajtjen e ndriçimit publik.
“Janë zhvilluar procedurat e tenderimit dhe ka mbetur të nënshkruhet kontrata me operatorin për mirëmbajtjen e ndriçimit publik”, ka thënë Nazmi Elezi nga zyra për Informim në Komunën e Podujevës.
Sipas Elezit, Në qytetin Podujevës për ndriçim publik do të intervenohet së shpejti.
Kujtojmë, Llapi.info pati raportuar edhe në nëntor të vitit të kaluar për mungesë të ndriçimit në sheshin përballë komunës së Podujevës./Llapi.info