Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur mbledhjen e rradhës ku është diskutuar për raportin e fundit mbi Kosovën.

Koordinatorja politike e misionit të SHBA-së pranë OKB-së, Amy Tako, ka shprehur përkrahjen e plotë të shtetit të saj për pavarësinë e Kosovës dhe procesin e integrimit, raporton lajmi.net.

“SHBA mbështet pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare. SHBA mbështet edhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA-të përgëzojnë miratimin e marrëveshjes së Demarkacionit e cila ishte kusht i fundit për liberalizimin e vizave”, tha ajo.

Ajo foli edhe për misionin e UNMIK-ut në Kosovë, ku deklaroi se sipas SHBA-së është koha që ky mision ta përfundojë mandatin e vet.

“39 milionë euro për UNMIK-ut janë të pakuptimta dhe besojmë se UNMIK-u nuk ka cfarë të qëndrojë më në Kosovë”, shtoi ajo.

Ajo shtoi se SHBA-të do të jenë gjithmonë përkrah Kosovës në proceset integruese dhe në njohjet e reja.

“Në anën tjetër mbështesim edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizata tjera, sepse Kosova ka treguar se mund të luftojë krimin e organizuar dhe ekstremizmin. Ftojmë edhe shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe të rreshtohen krahas atyre vendeve të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, përfundoi ajo.