Me anë të një mesazhi të dërguar në redaksinë tonë, Imami i xhamisë së qytetit të Podujevës, Idriz Bilalli i cili gjendet për shërim në Turqi, ka uruar myslimanët për muajin e shenjtë të Ramazanit, njofton Llapi.info
Në këtë urim, Bilalli thotë “Zoti ju ndihmoftë në synimet e juaja të mira , ua lehtësoftë agjërimin dhe i shtoftë njerëzit e mirë në mesin e popullit tonë, të cilët punojnë për të mirën e përgjithshme dhe për një mirëqenie më të mirë për të gjithë shqiptarët”.
Po ashtu në këtë urim, Bilalli thotë se është duke u shëruar ngadalë, dhe se do t’i kthehet jetës normale.
Më poshtë urimi i tij i plotë:
Të dashur dhe të respektuar vëllezër xhemat të qytetit tim! Të nderuar dhe të respektuar besimtarë e qytetarë kudo që jeni! Më lejoni që fillimisht të ju përshëndes me “Esselamu alejkum ve rahmetullah” ( Paqja dhe Mëshira e Zotit qoftë mbi ju !)
Siç jeni në dijeni, tani po bëhen disa muaj kur unë për shkaqe shëndetësore fizikisht jam larg jush, mirëpo gjatë gjithë kësaj kohe të kurimit tim, me shpirt dhe zemër isha dhe vazhdojë të jem me ju dhe në mesin tuaj, ngase shumicën e jetës time e kalova i pa ndarë nga ju në shërbim të fjalës së Allahut, në shërbim të familjeve pa dallim, të atdheut dhe të popullit tim të cilit i takoj, dhe me të cilin krenohem për vlerat e tij.
Më lejoni që përmes kësaj shkrese të shkurtër, të ju përshëndes të gjithëve pa dallim, dhe që në të njëjtën kohë të ju falënderoj nga zemra për përkrahjen e madhe që ju treguat në këto ditë dhe muaj jo të lehtë për mua, kur edhe po përballesha me një sfidë të rëndë dhe të pa pritur shëndetësore. Falë Zotit, falë kujdesit mjekësor dhe sakrificës së lartë të vëllait tim Rrahimit, i cili me plot gatishmëri dhe vullnet më dhuroj veshkën e tij, unë tani ngadalë po kurohem dhe po i kthehem jetës normale.
Të dashur dhe shumë të respektuar bashkëqytetar dhe bashkëkombës të mi, Meqë jemi krejtësisht në prag të Ramazanit, shfrytëzoj nga rasti që të ju uroj këtë muaj të shenjtë dhe veçantë për besimtarët mysliman, muajin e adhurimit, e sakrificës, e punëve të mira dhe e kohës më të volitshme për të përfituar shpërblimin e merituar nga Allahu i Madhëruar.
Zoti ju ndihmoftë në synimet e juaja të mira , ua lehtësoftë agjërimin dhe i shtoftë njerëzit e mirë në mesin e popullit tonë, të cilët punojnë për të mirën e përgjithshme dhe për një mirëqenie më të mirë të të gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe të vendit që i takojnë. Për hatër të këtij muaji të shenjtë, Zoti ju ruajt juve dhe familjet e tuaja nga çdo e keqe !
Amin ! Imami juaj Idriz Bilalli, Stamboll, 14 .05. 2018