Gjendja infrastrukturore aktuale në Kosovë ende nuk është gjithandej në nivelin e nevojave të banorëve, por krahasuar me 30 vite më parë, ajo ka ndryshuar ekstrem për të mirë, sidomos marrë parasysh faktin se një periudhë edhe ishte kaluar në okupim e luftë.

Më së miri këtë e dëshmon një reportazh i RTP’së së asaj kohe, për gjendjen me ujë të pijes në fshatin Ratkoc të Rahovecit, njëri ndër më të mëdhenjtë në këtë komunë dhe në gjithë Kosovën, përcjell gazetametro.net.

Sipas këtij reportazhi, fshati Ratkoc në atë kohë me rreth 3 mijë banorë, furnizohej me ujë të pijes nga një bunar i vetëm publik, i quajtur ‘Bunari i Madh’.

Në atë kohë ky fshat përveç shkollës fillore, kishte edhe shkollë të mesme, por jo edhe ujë të pijes, e as sistem të ujitjes.

Banorët dhe zyrtarët e Komunës në këtë reportazh, tregojnë se kanë bërë përpjekje për ta zgjidhur këtë problem, por kishte qenë e pamundur që të sigurohen fonde të mjaftueshme për ta rregulluar ujësjellësin.

Më vonë ky fshat, dhe shumë fshatra të tjerë të Rahovecit, bashkë edhe me qytetin, ishin kyçur në sistemin e ujësjellësit të ‘Radoniqit’ sistem i cili vazhdon edhe sot, si për pije ashtu edhe për ujitje, duke e bërë tokën e pëlleshme të kësaj zone edhe më strategjike për kultivimin e kulturave bujqësore.