Puna në Statutin e Asociacionit Komunave Serbe është duke vazhduar pa probleme.

“Sa i përket Grupit të Menaxhimit për përgatitjen e tij në të cilin janë të përfshirë edhe katër serbë, statuti mund të përfundojë siç është planifikuar, në gusht”, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Sipas tij, përshtatja e kornizave ligjore për zbatimin e Marrëveshjes së Parë për normalizimin e marrëdhënieve duhej të fillonte pesë vjet më parë, menjëherë pas përfundimit të saj, përcjell lajmi.net.

“Edhe pa hartimin e statutit Prishtina duhet të përcaktonte se cilat rregulla duhet të ndryshoheshin, në vend se të ishte konstruktive ajo vendosi të bllokojë procesin duke vendosur tekstin e AKS-së para Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur, Todosijeviq.

I pyetur nëse Prishtina do veproj në përputhje me marrëveshjen që AKS të ketë kontroll të plotë në pesë fusha, Todosijeviq ka thënë se ‘një administratë e re duhet të krijojë shembuj të praktikave të mira që përcaktojnë respektimin e detyrimeve ndërkombëtare’.

Ai ka shtuar se beson në BE-në si garantuese e marrëveshjes për Asociacionin.