Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka bërë të ditur se LDK do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Vetëvendosje për të premten, në të cilin do të diskutohet për zgjedhje të parakohshme.

Megjithatë, Veliu ka thënë se kjo parti është që fillimisht të arrihet një konsensus politik sa iu përket temave të nivelit nacional.

Por në rast se nuk ndodhë një gjë e tillë, ai ka paralajmëruar se LDK do të ndërmarrë hapat e tjerë.

“E kemi thënë që në fillim se ne për momentin kemi dhënë mundësinë e një konsensui të subjekteve politike për të gjitha çështjet që janë në interes për Kosovën në këtë moment. Pastaj nëse nuk gjindet ai konsensus shumë shpejt, ne do të shkojmë në variantin tjetër, në variantin e kërkesës për zgjedhje të shpejta”, ka deklaruar Veliu për “Zërin”, duke mos specifikuar ndonjë afat kohor lidhur me këtë çështje.

Veliu gjatë bisedës ka thënë se LDK ka ofruar mbështetje për zgjidhjen e çështjeve nacionale, porse ka kërkuar që ta dijë datën se kur vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Ta dimë se kur është data, kështu që nëse pajtohemi, ta japim kontributin tonë. Përndryshe, nëse nuk e kemi të qartë se kur është data e zgjedhjeve, atëherë ne do t’i bëjmë përpjekjet e tjera për ta rrëzuar këtë qeveri”, ka theksuar ai.

E po qe se nuk arrihet një konsensus, Veliu ka thënë se LDK do ta kërkojë mbështetje edhe prej partive të tjera për ta dërguar vendin drejt zgjedhjeve.

“Pastaj do ta kërkojmë edhe mbështetjen e të gjitha subjekteve politike që janë të interesuara ta nxjerrin vendin nga kriza edhe në këtë krizë politike që ka hyrë vendi edhe institucionale, e vetmja rrugëdalje nga kjo janë zgjedhjet”, ka nënvizuar ai.