Rruga që të shpie për fshatin Obrançë të Podujevës e zhytur në errësirë, njofton Llapi.info
Edhe pse janë të vendosura shtyllat, rrjeti i ndriçimin në këtë pjesë mungon.
Të ndriçosh hapat vetëm me dritat e telefonit, sipas banorëve është e vetmja mënyrë për të lëvizur në këtë pjesë kur bie mbrëmja.
Banorët e kësaj ane ankohen pasi që sipas tyre nga mungesa e dritave po u rrezikohet jeta këmbësorëve por edhe drejtuesve të makinave.
“Po ka mungesë të ndriçimit në këtë rrugë e cila njihet edhe si kryesore, por nuk është e vetmja kjo rrugë. Na duhet pak drita se kjo pjesë është me qarkullim të madh edhe ka kthesa në rrugë edhe s’po ka drita. Normal taj që po rrezikohem edhe na edhe vozitësit” tha një banor, i cili edhe ka dërguar videon.
Në anën tjetër Nazmi Elezi, zyrtar për Informim në Podujevë, bëri të ditur për Llapi.info se tashmë ka mbetur vetëm të nënshkruhet kontrata me operatorin që bën mirëmbajtjen e ndriçimit publik.
“Janë zhvilluar procedurat e tenderimit dhe ka mbetur të nënshkruhet kontrata me operatorin për mirëmbajtjen e ndriçimit publik”, ka thënë Elezi.
Kujtojmë Llapi.info ditë më parë ka raportuar për mungesë të ndriçimit publik edhe në parkun si dhe sheshin përballë komunës së Podujevës./Llapi.info