Sami Bulliqi nga fshati Llugë i Podujevës, me banim në Gjermani, kishte vendosur të investonte në vendlindje.
Ideja e tij ishte të niste ndërtimin e një ferme të pulave. Por që Komuna e Podujevës ia kishte refuzuar këtë me arsyetimin e planit urbanistik, për kundër që Bulliqi kishte marr leje nga fshatarët që ta ndërtonte këtë fermë.
Drejtori i atëhershëm i Planifikimit Urban në Komunën e Podujevës, Durim Salihu i kishte thënë se nuk mund të ndërtohet ferma.
Pas kësaj Bulliqi kishte hequr dorë nga investimi.
Bulliqi në një rrëfim për lajmi.net tregon se më vonë i lajmërohet vetë Durim Salihu, i cili i propozon që investitori të ndërtojë një objekt afarist, hipermarket dhe restaurant.
Mirëpo Bulliqi do të mund ta bënte këtë investim vetëm nëse ia plotëson një kërkesë drejtorit Salihu.
Sipas Bulliqit, drejtori Salihu i kishte premtuar nga Komuna e Podujevës leje nëse e bën projektin tek miku i tij Alban Rudari.
E Bulliqi thotë se edhe kështu bëri duke paguar 32 mijë euro Alban Rudarit, dhe mori lejen.
Bulliqi thotë se ka paguar haraç te Durim Salihu 32 mijë euro në emër të projektit sepse sipas tij u kushtëzuan.
“Zyrtari Komunal, Drejtori i Urbanizmit Durim Salihu na e ka propozuar për projekt Alban Rudarin, sepse nuk kishim zgjidhje tjetër dhe ne paguam 32 mijë euro në emër të këtij projekti”, thotë ai.
Bulliqi tregon se kur erdhi koha e implementimit të projektit të Rudarit, doli se ishte i pazbatueshëm.
“E kemi marr lejen e kur e kem marr projektin ua kemi ofruar kompanive të ndërtimit. Arkitektët e tyre nuk e kanë pranuar sepse ka qenë i parealizueshëm, me një fjalë projekt bosh”, ka thënë Bulliqi për lajmi.net.
Për këtë Bulliqi kishte bërë kallëzim penal në Polici ndaj drejtorit Salihu përmes avokatit të tij Nasuf Hasani.
Bulliqi thotë se ka mjaft prova që e dëshmojnë se Durim Salihu i kërkoj “haraç”.
Por Salihu sërish ka marr pozitë të rëndësishme nga kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.
Durim Salihu është emëruar para pak javëve drejtor i Inspeksionit në Komunën e Podujevës, e që kjo e ka habitur investitorin Sami Bulliqi.
Bulliqi thotë se dyshon që edhe policët që janë duke e hetuar këtë rast janë korruptuar nga Agim Veliu, kryetar i Komunës së Podujevës.
“Unë habitem se si Policia e Kosovës ka ngre kallëzim penal vetëm ndaj një personi kur aty janë të përfshirë edhe katër të tjerë. Ata të tjerët janë ata që e kanë përpiluar projektin duke përfshirë edhe Durim Salihun. Dyshoj se dy policëve që e kanë hetuar këtë rast, Agim Veliu kryetari i Komunës njërit i ka dhënë subvencione dhe tjetrit ia ka punësuar një të afërm familjar”, ka thënë Bulliqi për lajmi.net.
E përkundër të gjitha këtyre, Bulliqi thotë se kur e ka kontaktuar Alban Rudarin për t’i treguar se projekti ishte i hartuar keq dhe i pazbatueshëm, ishte kërcënuar.
“Unë kërkova nga Alban Rudari ta revidojë këtë projekt sepse ishte i parealizueshëm në praktikë. Ai më tha se nuk revidohet duke më kërcënuar se do të lajmëronte në polici nëse e telefonoj edhe një herë. Unë e revidova projektin dhe më kushtoj plus 3 mijë euro”, thotë Bulliqi.
Pavarësisht të gjitha këtyre Bulliqi thotë se do të vazhdojë të kërkoj drejtësi, edhe pse dyshon se një gjë e tillë mund të ndodhë.
Lajmi.net ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliun, i cili po akuzohet nga pala e “dëmtuar” se ka korruptuar policët që po merren me rastin.
Veliu tha se për këtë çështje po pritet vendimi i Gjykatës pasi ka bërë edhe ai padi.
“Kjo është qe gjashtë muaj ishte aktualizuar gjatë fushatës, kjo është sqaru. Janë bo padi nëpër Gjykata edhe po presim procesin gjyqësor. Unë asnjë fjalë nuk kam çka me thënë. Unë personalisht, çka lidhet me mua e kam bërë një padi se një kundërkandidt gjatë procesit zgjedhor e ka ngrit këtë farë çështje edhe kam bërë padi në Gjykatë, unë pres vendimin e Gjykatës”, ka thënë ai. /Lajmi.net/
Më poshtë, kallëzimi penal i Sami Bulliqit në Polici ndaj drejtoriti tw Inspeksionit në Komunën e Podujevës Durim Salihu përmes avokatit, Nasuf Hasani.