Maldir, i cili jeton vetëm, edhe gjatë Ramazanit shëtitë dhentë e tij nëpër shpate, ndërsa sofrën e iftarit e shtron në bar nën qiell të hapur, pasi ta vendosë bagëtinë në vathë.
Mumin Maldir, bari në provincën Kirklareli të Turqisë i cili prej më shumë se gjysmë shekulli kujdeset për bagëtinë, kalon ditët gjatë muajit të Ramazanit duke bërë iftarin dhe syfyrin në sofrat që i përgatit vetë në kullosat ku kullot bagëtinë.
Qoftë verë ose dimër, Maldir ushtron detyrën e blegtorit që prej 53 vitesh në zonën rurale pranë qytezës Yskyp në Kirklareli.
Maldir, i cili jeton vetëm, edhe gjatë Ramazanit shëtitë dhentë e tij nëpër shpate, ndërsa sofrën e iftarit e shtron në bar nën qiell të hapur, pasi ta vendosë bagëtinë në vathë.
Maldir gatuan ushqimin e tij në zjarrin që ndez duke cakërruar gurët, ndërkohë që fillon me ngrënien e ushqimit pasi dëgjon ezanin e akshamit nga radioja që ka.
Pas një pauze të shkurtër pas iftari, ai përfundon punën e tij duke mjel delet. Në barakën ku qëndron, Maldir nuk ka qasje të energjisë elektrike.
Ai shtron sofrën e syfyrit duke ndriçuar dhomën e tij me llambë gazi dhe pas syfyrit ai nis ditën e re duke përsëritur nijetin për të agjëruar ditën që e pret.
“Allahu është lehtësues për çdo gjë”
Duke folur për AA, Maldir thotë se edhe syfyrin, edhe iftarin i bën në zonën rurale ku ruan dhentë, kurse dëshira e tij më e madhe është të bëjë iftar në një sofër familjare gjatë muajit të Ramazanit.
“Të jesh bari nuk është punë e lehtë. Bariu nuk ka punë me ushqimin, as gjumin. Mundi i bariut gjendet në shkopin e tij. Jo secili mund të jetë bari. Që nga mosha 13 vjeçare, jeta ime ka kaluar në kullosa dhe vathe”, thekson Maldir.
Ai shton se ka dashuri të madhe për kafshët, porse për shkak të moshës së shtyrë kohë pas kohe ndien vështirësi.
“Syfyrin e bëj me djathë, ullinj, domate, kurse iftarin me vezë dhe kos. Gjithsesi, këto janë gjërat e vetme që ha një bari. Bariu nuk ka kohë të ulet tërë ditën e të ziejë ushqim. Çdo gjë që ka bariu, e ka në torbën e tij; çajniku, uji, ushqimet për iftar dhe syfyr, të gjitha gjenden në torbën e tij. Në Ramazan na rëndohet pakëz barra, por Allahu është lehtësues i çdo gjëje. Çdo gjë ka anën e saj të lehtë, mjafton ta bëjmë punën duke e dashur atë. Bariu nuk ka orë. Bariu një herë ngop barkun e kafshëve, pastaj të vetin”, shprehet Maldir.
Ai thotë se në natyrë çdo gjë është e shijshme dhe e bukur. “Por, është e shijshme nëse bën punën duke e dashur. Madje edhe një copë bukë e thatë është e shijshme në iftar dhe syfyr. Megjithatë, unë kam dëshirë të shijoj një iftar si familje, por nuk ndodhi, pasi nuk munda të martohem. Ky mall do të qëndrojë brenda meje gjithmonë”, thotë për fund bariu Mumin Maldir për AA.