Foto ilustrim

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, përmes një komunikate për medie, njofton se në një shkresë dërguar Kryeministrit Ramush Haradinaj, ka kërkuar vëmendje për trajtimin me prioritet nga ana e Qeverisë të Udhëzimit Administrativ 2004/2007 për Udhëtimet Zyrtare (Udhëzuesi) i miratuar nga Ministria e Shërbimeve Publike në vitin 2004, i cili ende është në fuqi.

Paqartësitë dhe mungesat e identifikuara në kornizën ekzistuese ligjore, thuhet tutje në komunikatë, kanë ndikuar në aplikimin jo konsistent të tij nga organizatat buxhetore.

Auditori i Përgjithshëm, në shkresën e tij, thekson se gjatë punës audituese është vërejtur se Udhëzuesi nuk i përgjigjet kërkesave të kohës dhe si i tillë nuk kontribuon në menaxhimin e rregullt, të shëndoshë dhe të mirëfilltë të parasë publike. Duke marrë në konsideratë këto çështje Auditori i Përgjithshëm ka rekomanduar që të rishikohet e tërë korniza ligjore që ka të bëjë me shpenzimet për udhëtimet zyrtare dhe të azhurnohet për të përmbushur kërkesat e kuadrit të ri ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.

Auditori i Përgjithshëm gjithashtu ka theksuar se me qëllim të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, ZKA do të ofrojë rekomandime specifike lidhur me përmirësimin e qeverisjes, me qëllim të rritjes së besueshmërisë në shpenzimin e fondeve publike.

Kujtojmë se dje Koha Ditore ka raportuar se sipas një përllogaritjeje që ka bërë, bazuar në udhëzimin administrativ për udhëtimet zyrtare dhe taksat për mëditje që janë bërë që në kohën e UNMIK-ut, vetëm për akomodim dhe mëditje të zyrtarëve, janë shpenzuar mbi 20 mijë euro.