Gjykata Themelore në Prishtinë i dha sot pafajësinë ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj dhe tre të akuzuarve, Vlora Goranit dhe Mentor dhe Ali Seferajt.
Me aktgjykimin e sotëm, gjykata gjithashtu vendosi që paratë në shumën prej 15 mijë eurove t’i kthehen të akuzuarës, Vlora Gorani.
Avokati i Mekajt, Besnik Berisha, pas shpalljes së aktgjykimit tha se vendimi i sotëm është “lajm i keq për drejtësinë”, sepse, sipas tij, Mekaj si profesionist i drejtësisë është privuar nga mundësia e ushtrimit të profesionit “dhe ndoshta avancimit të mëtejmë”.
“Nga dita e parë nuk ka pas asnjë provë në këtë rast me të cilin prokuroria do t’i mbështeste pretendimet e saj”, tha avokati Berisha.
Berisha tha se nuk dëshiron të spekulojë por tha se atij Mekaj i kishte thënë se “një hetues kur e kishte arrestuar i kishte thënë se ‘ka kohë që dua të të arrestoj”.
Gati tre vjet nga koha kur ishte arrestuar dhe dy vjet pasi ishte ngritur aktakuza, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit mësoi verdiktin e shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me pretendimet e Prokurorisë ndaj tij.
Mekaj që ishte arrestuar në korrik të vitit 2015 po akuzohet për keqpërdorim të detyrës në lidhje me një rast ku sipas prokurorisë Mekaj do të angazhohej në caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste dhe ri-cilësimin juridik të veprave penale.
Pothuajse i gjithë ky gjykim është zhvilluar prapa dyerve të mbyllura për shkak se mbrojtja kishte kërkuar mbylljen e seancës për publikun pasi që sipas tyre mund të cenohej privatësia e palëve në procedurë.
Ky rast bënë pjesë në grupin e lëndëve të shënjestruara për liberalizim të vizave. /kallxo.com/