Lidhja Demokratike e Kosovës është duke dhënë sinjale se është e gatshme të përfshihet në fazën e fundit të dialogut me Serbinë.
Madje, zyrtarë të saj tashmë kanë zbutur edhe qëndrimet sa i përket udhëheqjes së këtij procesi nga presidenti Hashim Thaçi, që dikur e kundërshtonin
Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu sot ka deklaruar se opozita duhet të marrë rol në dialog.
“Kjo është një prej çështjeve madhore që e kemi diskutuar në tryezë bashkërisht. Siç po duket, kjo faza e fundit e dialogut final do të jetë një proces jo i lehtë për Kosovën. Ne si LDK edhe në këtë aspekt kemi qenë të hapur të diskutojmë në mënyrë që përgjegjësinë ta marrin edhe institucionet kushtetuese në bazë të përgjegjësive që kanë, por një rol të jashtëzakonshëm në këtë proces ta luajë edhe gjithë opozita”, ka thënë Veliu.
Një tjetër nënkryetarë i LDK-së që është shprehur i gatshëm të jetë pjesë e fazës së fundit të dialogut, madje edhe përkrah të presidentit Hashim Thaçi, ka qenë Lutfi Haziri, transmeton lajmi.net.
Ky zyrtarë i LDK-së ka thënë se për këtë pret vetëm një besim nga LDK-ja.
Ndërsa, që udhëheqja e dialogut nga Thaçi, përveç PDK-së deri më tani është kundërshtuar nga partitë tjera parlamentare.
Presidenti Hashim Thaçi kohë më parë kishte propozuar që për fazën e fundit të dialogut të krijohet një ‘grup i unitetit’, ku pjesë e tij do të jenë edhe partitë politike e shoqëria civile.
Edhe pse pa ndonjë mandat nga Kuvendi,presidenti Hashim Thaçi po vazhdon të negociojë me atë që po quhet ‘finalja e madhe’ me homologun serb nën lehtësimin e BE-së.
Zyrtarë nga Presidenca ka thënë se i pari vendit do të vazhdojë të negociojë, duke i ftuar partitë politike që të jenë pjesë e dialogut me Serbinë.
Një raund i ardhshëm i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë është paralajmëruar të mbahet në qershor.