Për posedim të paautorizuar dhe shitje narkotikësh, në krejt territorin e vendit në njëzetekatër orët e fundit në pranga kanë përfunduar gjashtë të dyshuar, njofton Policia e Kosovës.

Gjashtë persona janë arrestuar në mbarë territorin e Kosovës për posedim apo shitje të substancave narkotike, prej të cilëve pesë burra dhe një grua.

Në Prishtinë një burrë është arrestuar pasi është kapur në flagrancë duke shitur marihuanë, ndërsa një grua ka rënë në pranga pasi i janë gjetur në posedim 2.2 gramë të po të njëjtës substancë.

Dy burra tjerë kanë përfunduar në arrest po ashtu për posedim të rreth 3 gramëve marihuanë, njëri në rajonin e Gjilanit, ndërsa tjetri në atë të Ferizajt.

Ndërsa në Pejë, në kuadër të fushatës Stop drogës në shkolla në pranga ka rënë një i dyshuar për posedim të 4.5 gramëve marihuanë, ndërsa një tjetër pasi në shtëpi i është gjetur një sasi e kësaj substance narkotike.