Gati një javë pas vjedhjes që ndodhi në shtëpinë e ish-deputetit Xhavit Ukaj, Policia e Kosovës përveçse nuk ka arritur t’i kap hajnat, ende as nuk i ka identifikuar ata. Në këtë plaçkitje, ish-deputetit biznesmen të LDK’së iu vodhën hiq më pak se 100 mijë Euro.

Policia në Prizren, të premten, kanë treguar për Gazetën Express se ende nuk kanë identifikuar hajnat që vodhën 100 mijë Eurot në shtëpinë e tash asamblistit prizrenas Xhavit Ukaj, në fshatin Piranë të kësaj komune.

Përkundër që sipas tyre rasti po vazhdon të hetohet.

“Ju nuk ka asnjë të identifikuar hala niher”, ka thënë shkurt Hazir Berisha, i pyetur për rastin.

Djali i biznesmenit nga Prizreni, Florent Ukaj, dy ditë pas vjedhjes që ndodhi gjatë kohës sa familja po ndiqte jashtë shtëpisë finalen e Ligës së Kampionëve, i kishte thënë Gazetës Express se hajat që iu hynë në shtëpi kishin lënë shenja të gishtërinjve dhe gjurmë tjera.