Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj gjatë takimit me Sekretaren e Shtetit pranë Ministrit të Forcave të Armatosura të Francës, Genevieve Darrieussecqe ka kërkuar mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të posaçëm në INTERPOL dhe UNESCO.
Gjatë takimit, ai e njoftoi sekretaren Darrieussecqe për të arriturat e Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, për proceset që po kalon vendi ynë, në veçanti për tranzicionin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
“Synimi ynë strategjik është të bëhemi pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe Francën e shohim si partner në këtë rrugëtim”, tha ai.
Ndërkaq, Sekretarja e Shtetit pranë Ministrit të Forcave të Armatosura të Francës, Genevieve Darrieussecqe, siguroi kryeministrin Haradinaj që shteti francez edhe më tutje do të jetë përkrahës i fuqishëm i të gjitha zhvillimeve në Kosovë, me theks të veçantë atyre të sigurisë.
Nga ana e saj zyrtarja franceze përshëndeti të arriturat në Kosovë që nga periudha e pasluftës, duke theksuar përkushtimin e Francës për mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset integruese, transmeton Klan Kosova.