Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dy ditë para daljes në Kuvend për t’u votuar Projekt Kodi i ri Penal, ka bërë të ditur ndryshimet kryesore që sjell ky Projekt-Kod.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka theksuar se ndryshimi thelbësor është që tashmë dhuna në familje trajtohet me një nen të veçantë, duke u bërë kështu vepër penale e dënueshme me gjobë dhe burgim deri në tri vite.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të hënën do të kenë mundësinë që ta miratojnë në lexim të parë, një ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme legjislative për sistemin e drejtësisë në vend, Projekt Kodin e Ri Penal. Jam i lumtur që ndryshimet që kemi sponzoruar, janë ndryshime që adresojnë përgjigjet ndaj nevojave konkrete të shoqërisë dhe institucioneve tona, në luftën kundër krimit, korrupsionit, abuzimit dhe cenimit të jetës, barazisë e pronës së qytetarëve tanë. Ndër të tjera, dhuna në familje që shpesh herë ka cenuar integritetin dhe sigurinë e individëve, me këtë Projekt Kod, për herë të parë është përfshirë si nen i veçantë, në mënyrë që kushdo që ushtron dhunë ose keqtrajtim fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, të dënohet me gjobë dhe burgim deri në tri vite” ka shkruar Tahiri.

Për të parin e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, ky Projekt-Kod do t’iu mundësoj institucioneve luftë më efikase kundër krimit, duke potencuar se është detyrë e institucioneve që asnjë viktimë mos ta lë të pambrojtur.

“Si shoqëri, kemi për detyrë që të rrisim mirëkuptimin dhe të nxisim një frymë harmonie brenda familjeve tona, por si institucione domosdoshmërisht duhet të kujdesemi që askush të mos jetë viktimë e pa mbrojtur dhe se ky ndryshim është mesazhi më i fuqishëm deri më tani kundër dhunës në familje.

Jam i bindur se miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal, do t’i mundësojë institucioneve efikasitet të lartë kundër krimit, dhe do t’i mundësojë shoqërisë që të ketë siguri juridike në mbrojtjen e jetës, pronës dhe lirisë për të arritur progresin e dëshiruar” ka përfunduar Tahiri.